Sporti

Messi: Lautaro e meriton Topin e Artë më shumë se kushdo tjetër

10/16/2024 17:38
nga:Lorik J

Superylli i futbollit botëror, Lionel Messi shpreson se bashkëlojtari i tij nga Argjentina, Lautaro Martinez, do të sfidojë për Topin e Artë këtë sezon.

Martinez është në listën e ngushtë prej 30 kandidatësh për çmimin e këtij viti dhe fituesi do të shpallet në Paris më 28 tetor. Në vitin 2024, Lautaro Martinez arriti suksese të shumta si në nivel klubesh ashtu edhe në nivel kombëtar.

Ai u bë golashënuesi më i mirë i Interit, duke e udhëhequr ekipin drejt një titulli në Serie A dhe duke fituar Superkupën e Italisë.

Përveç kësaj, Lautaro Martinez u bë golashënuesi më i mirë i Kupës së Amerikës, të cilin e fitoi me Gauchos.

“Ai pati një vit spektakolar. Ai shënoi në finalen e Copa America dhe ishte golashënuesi më i mirë. Ai e meriton Topin e Artë më shumë se kushdo tjetër,” tha Lionel Messi pas fitores 6-0 të Argjentinës ndaj Bolivisë.

Trajneri i kampionit të botës – Lionel Scaloni, tha: “Shpresoj që Lautaro të fitojë. Nëse nuk ndodh këtë vit, jam i sigurt se do të ndodhë në të ardhmen”.

/GazetaBlic Sport