Lajme

Ndriçohet godina e Qeverisë, Kurti: Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku!

10/14/2024 22:25
nga:Genita C

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se, në kuadër të muajit “Tetori Rozë,” për të rritur vëmendjen dhe vetëdijen për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, godina e Qeverisë u ndriçua sonte, raporton GazetaBlic.

Ai theksoi se shërbimi i mamografisë, si masë parandaluese dhe diagnostikuese, është falas për të gjithë qytetarët e Republikës.

Kurti përmendi zgjerimin e shërbimeve të mamografisë mobile në komunat veriore, duke nënvizuar se “për herë të parë, vitin e kaluar kemi realizuar 180 ekzaminime në vetëm tri ditë.” Ai gjithashtu foli për investimet në Klinikën e Onkologjisë dhe blerjen e dy akseleratorëve të rinj, përfshirë sistemin më të avancuar C-RAD, të cilat po ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e trajtimit.

Një tjetër arritje e rëndësishme është mundësia e rikonstruktimit falas të gjirit për gratë që e kanë mposhtur kancerin e gjirit, për herë të parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Përkushtimi ynë është i përditshëm, që të sigurojmë qasje sa më të lehtë dhe të barabartë në shërbimet shëndetësore,” tha Kurti, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe trajtimit të kancerit të gjirit. Ai përfundoi me një mesazh solidariteti: “Në solidaritet me të gjitha gratë që po luftojnë me vendosmëri për jetën, ritheksojmë se luftën do ta bëjmë bashkërisht. Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku!”