Lajme

Nacionalizmi i krishterë në Shtetet e Bashkuara

10/12/2024 19:45
nga:Sh R

Ekziston një grup domethënës votuesish amerikanë që mendojnë se besimi duhet të përcaktojë ligjet e vendit. Por ky nocion krijon ndasi mes liberalëve dhe konservatorëve, demokratëve dhe republikanëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti njofton rreth nacionalizmit të krishterë në Shtetet e Bashkuara.

Dy tubime dhe dy pikëpamje të ndryshme. Njëri është “Tubimi për Demokracinë”, në mbështetje të të gjitha besimeve. Tjetri është “Turneu për Rizgjimin e Amerikës”.

Në vitin e tij të tretë, turneu mbështet nacionalizmin e krishterë, idenë se Shtetet e Bashkuara janë një vend i krishterë dhe se duhet të kenë ligjet që e reflektojnë këtë.

“Do të isha me kënaqësi një nacionaliste e krishterë. Pasi çfarë mund të thuhet kundër krishtërimit? Themi se ‘Jemi ndjekës të Zotit të dashurisë’; ‘Po ndjek Jezusin gjatë jetës time’, dhe ‘E dua vendin tim’. MAGA do të thotë: ‘Ta bëjmë Amerikën Sërish Madhështore’. Ç’të keqe ka këtu?”, thotë Diane Bollinger, pjesëmarrëse në tubim.

Me këtë është dakort kandidati republikan për president Donald Trump.

“Jemi së bashku luftëtarë në një kryqëzatë të drejtë për t’i ndalur zjarrvënësit, ateistët, globalistët dhe marksistët. Kjo është ajo që jemi. Dhe do ta rikthejmë republikën e një kombi, nën një Zot, me liri dhe drejtësi për të gjithë”, tha ish-Presidenti Trump.

“Vendi ynë u ndërtua bazuar tek vlerat dhe parimet e krishtërimit dhe judaizmit. Kështu e hartuan edhe Kushtetutën”, thotë Patty Kinsinger, pjesëmarrëse në tubim.

Kushtetuta amerikane nuk e përmend krishtërimin. Në vend të kësaj parashikon lirinë e besimit. Deklarata e Pavarësisë thotë se të drejtat janë dhuruar nga krijuesi dhe përmend “Zotin e Natyrës”.

Megjithatë, pastorët në “Turneun për Rizgjimin e Amerikës” bëjnë betimin se do të predikojnë që njerëzit të votojnë për kandidatët besimtarë.

Demokratët thonë se kjo është një shkelje e ndarjes që bën kushtetuta mes fesë dhe shtetit.

“Pastorët duhet ta shqyrtojnë dhe të bisedojnë me anëtarët e kishës së tyre se çfarë do të thotë të ketë liri dhe drejtësi për të gjithë”, thotë demokratja nga Montana, Mary Jo O’Rourke.

Të tjerë pjesëmarrës në ‘Tubimin për Demokracinë’ shprehen dakort dhe disa bëjnë thirrje për një debat se për çfarë predikonte Jezusi.

“Çfarë thoshte ai? Çfarë bënte? Pasi ky lloj mesazhi që synon të sulmojë emigrantët dhe të shkaktojë vuajtje të mëtejshme për të varfërit dhe të pambrojturit është pikërisht një lëvizje anti-Krisht”, thotë pastori Jim Wallis, nga Universiteti Georgetown.

Kësaj i shtohet edhe debati për abortin.

“Dhe le të biem të gjithë dakort: nuk është e nevojshme që të hiqet dorë nga besimi dhe ato çfarë beson thellë përbrenda, për të rënë dakort se qeveria nuk duhet t’i thotë grave se çfarë duhet të bëjnë”, tha kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris.

Një studim i bërë nga instituti Pew konstatoi se gati gjysma e amerikanëve mendojnë se Bibla duhet të ketë influencë tek ligjet amerikane. Por, nga i njëjti anketim rezultoi se pak mendojnë që krishtërimi duhet të jetë besimi zyrtar i vendit./VOA