Lajme

27 vjet nga protesta studentore kundër regjimit serb në Prishtinë

10/01/2024 09:47
nga:N K

Sot bëhen 27 vjet nga protesta më e madhe studentore në Kosovë, e mbajtur më 1 tetor të vitit 1997, nën organizimin e Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP).

Protestës së atëhershme i prin anëtarët e kryesisë së UPSUP-së, në mesin e të cilëve ishte edhe kryeministri i tanishëm Albin Kurti, që tani është kryeministër si dhe Bujar Dugolli, Driton Lajqi dhe Muhamet Mavraj. Në krye të protestës ishte edhe rektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci.

Kjo protestë studentore ishte nismëtare e lëvizjes gjithëpopullore kundër regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Kosova në atë periudhë ishte e ngulfatur nga regjimi serb dhe studentët ishin ngritur për të kërkuar lirimin e objekteve shkollore, përkatësisht Universitetin e Prishtinës, por kërkesa, sipas organizatorëve në thelb ishte për lirinë e Kosovës.

Bujar Dugolli, profesor universitar, një ndër ish-organizatorët e protestës gjithëpopullore të 1 tetorit të vitit 1997, tha se Lëvizja Studentore ka pasur sukses me protestën e 1 tetorit të ’97-së.

“Ne deshëm të tregonim që në Kosovë mohohet çdo gjë, edhe liria themelore e njeriut që është e garantuar me kartën për liri dhe të drejtat të njeriut të OKB-së, edhe e drejta në arsim në gjuhën shqipe. Lëvizja pat sukses me protestën e 1 tetorit, sepse menjëherë u bë një bum madh i lëvizjes së përgjithshme për liri dhe pavarësi”, deklaroi Dugolli në “Voyage” në RTK.

Një tjetër ish-organizator i asaj proteste, Driton Lajçi, deklaroi se protestat e ’97 – ’98-së, që zgjaten shtatë muaj, kishin rrjedhën e vet.

“Në Kosovën e viteve ’97-’98 ka pasur disa protesta. Më 1 tetor 1997, më 29 tetor, më 30 dhjetor, më 2 mars, më 9 mars, më 13 mars, më 17 mars dhe më 30 prill. Janë shtatë muaj jo vetëm ndërlidhje, por edhe protagonizëm për lirinë e Kosovës”, tha ai.

“Kërkesat tona dhe organizimi ynë pasurohen dhe zgjerohen. 2 marsi vjen si rrjedhojë e masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, pastaj 9 marsi pas masakrës së Jasharëve. E më 30 prill për herë të parë studentët në Prishtinë brohorasin UÇK para objektit të Fakultetit Teknik”, shtoi Lajçi./rtk