Sporti

Prokuroria e Milanos: Kishte pakt armëpushimi mes ultrasve të Milanit e Interit për të maksimizuar të ardhurat e paligjshme në “San Siro”

09/30/2024 18:14
nga:Lorik J

Prokuroria e Milanos thotë se anëtarët ultras të Interit dhe Milanit kishin një “pakt armëpushimi” për të maksimizuar të ardhurat e paligjshme në “San Siro”, ndërsa FIGC kërkon dokumente për të sqaruar pozicionet e dy klubeve.

Policia italiane arrestoi 19 persona, kryesisht ultras të Interit dhe Milanit, të dyshuar për lidhje me familjet mafioze, mëngjesin e së hënës.

Gjatë një konference për shtyp ditën e sotme, prokurori i Milanos, Marcello Viola dhe prokurori kombëtar antimafia dhe antiterror Giovanni Melillo ndanë disa detaje rreth operacionit.

“Kishte një pakt armëpushimi mes ultrasve [Milanit dhe Interit] për të maksimizuar fitimin”.

“Aktivitetet janë zhvilluar vetëm për të përfituar një avantazh ekonomik. Interesi për klubet ishte vetëm një fasadë. Interi dhe Milani janë vetëm subjekte të dëmtuara”, deklaroi Viola, sipas Sport Mediaset.

Policia ka raportuar se aktivitetet financiare të lidhura me “San Siron” ishin “jashtë çdo kontrolli ligjor”.

Viola shtoi se kjo ishte “pjesërisht” për shkak të “disa mangësive organizative të Interit në menaxhimin e marrëdhënieve me tifozët”.

“Kishte mungesë absolute të kontrolleve për hyrjet në stadium; furnizimet me bileta për individët që i përkasin krimit, të cilët më pas bënë fitime të mëdha me rishitje”.

Viola tha se të ardhurat e realizuara falë aktivitetit të paligjshëm brenda dhe jashtë “San Siros” u transferuan në familjet mafioze të lidhura me ultrasit e Interit dhe Milanit.

Prokurori i Milanos është i bindur se hetimi nxori në dritë lidhjen e fortë midis familjeve mafioze dhe anëtarëve kryesorë ultra në Curva Sud dhe Curva Nord në “San Siro”.

Melillo shtoi se hetimi nxori në pah logjikën që “legjitimonte racizmin dhe antisemitizmin brenda stadiumeve” rreth Italisë.

Siç raportohet nga agjencia e lajmeve ANSA, prokurori i FIGC, Giuseppe Chine ka kërkuar dokumente në lidhje me hetimin penal për të ‘verifikuar shkeljet e mundshme të legjislacionit sportiv nga dy klubet e Serisë A dhe anëtarët e tyre’.