Lajme

Kurti njofton për takimin me O’Brien dhe Lajçak në Konsullatë: Theksova nevojën e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit

09/27/2024 18:09
nga:Sh R

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar në llogarinë e tij në platformën “X”, për takimin që pati sot me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien dhe Emisarin e Bashkimit Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak, në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York.

Kurti ka thënë se me O’Brien dhe Lajçak kanë diskutuar për dialogun, teksa ka thënë se ka theksuar nevojën e nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj si dhe zbatimin.

“Ishte kënaqësi të takohesha me Ndihmës Sekretarin Jim O’Brien, të cilit iu bashkua Përfaqësuesi Special i BE-së @MiroslavLajcak. Diskutuam për dialogun si dhe bashkëpunimin rajonal përpara 10 vjetorit të procesit të Berlinit. Gjatë bisedës sonë, theksova nevojën e nënshkrimit dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj si mjet i domosdoshëm për progres. Rikonfirmova gjithashtu përkushtimin e vendit tonë për bashkëpunim, prosperitet të rajonit, të drejta të barabarta dhe mbrojtje të fuqishme të të drejtave të njeriut dhe një shoqëri shumëetnike të lulëzuar”, ka shkruar Kurti.