Sporti

Guardiola konfirmon skenarin më të keq për Rodri: “Ky sezon ka përfunduar”

09/27/2024 18:03
nga:Mergim Rreci

Pep Guardiola ka konfirmuar, këtë të premte, skenarin më të keq për mesfushorin e Manchester City, Rodri , i cili do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit 2024/25, pas një dëmtimi të rëndë të pësuar në duelin, në shtëpi, kundër Arsenalit.

“Ai kishte një operacion [dëmtim të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gju] këtë mëngjes. Ai do të jetë këtu sezonin e ardhshëm, sepse ky sezon ka mbaruar. Fatkeqësisht, ne patëm lajmin më të keq, por këto gjëra ndodhin. Ne do të jemi këtu për ta mbështetur në rikuperimin e tij hap pas hapi”, ka thënë trajneri katalanas, duke komentuar ndeshjen e kësaj të shtune në Newcastle.

Dhe tani? Pep Guardiola dha një garanci për të ardhmen: “Ne nuk kemi një lojtar të ngjashëm, por të tjerët, të gjithë së bashku, mund të zëvendësojnë atë që Rodri na ka dhënë që nga ardhja e tij. Do të duhet ta bëjmë si ekip dhe të gjejmë një mënyrë për të luajtur shumë ndeshje pa një lojtar kaq të rëndësishëm për ne”, shtoi ai.

/GazetaBlic Sport/