Lajme

SHBA ende pa vendim për çështjen e bashkëpunimit me MPB-në

09/26/2024 15:48
nga:Sh R

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar se nuk ka marrë ende asnjë vendim lidhur me çështjet e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës dhe elementet e saj vartëse.

Deklarata e ambasadës vjen pas raportimit nga TV Dukagjini, ku burimet kishin bërë të ditur se disa trajnime të Policisë së Kosovës ishin anuluar si pasojë e veprimeve të pa koordinuara të Qeverisë së Kosovës në katër komunat veriore.

Por, sipas përgjigjes, kjo çështje është ende në shqyrtim.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj. Ne jemi duke vazhduar shqyrtimin e çështjes dhe për momentin nuk kemi marr asnjë vendim”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Policia e Kosovës ka vendosur që të reagojë përmes një komunikate për media rreth trajnimeve dhe avancimeve profesionale të tyre dhe bashkëpunimit me SHBA-të.