Skuadra e Flamurtarit nuk e ka nisur aspak mirë sezonin në Ligën e Parë të Kosovës në futboll.
Pas pesë ndeshjeve, Flamurtari ka pësuar 5 humbje, duke pranuar 15 gola, e shënuar vetëm dy. Deri në xhiron e fundit, ku skuadra u mposht nga Dinamo e Ferizajt me rezultatin 0-6, trajner i skuadrës ishte Faruk Statovci, por pas këtij debakli ai dha dorëheqje, përcjell GazetaBlic Sport.
Sipas informacioneve të fundit, Emin Bajrami pritet të jetë trajneri i ri i Flamurtarit.
Bajrami e ka konfirmuar interesimin e Flamurtarit, por thotë se ende nuk ka diçka zyrtare.
“Jam në bisedime me klubin, më kanë kontaktuar, por nuk ka ende diçka zyrtare”, tha Bajrami shkurtimisht për ‘GazetaBlic Sport’.
Flamurtarit i duhet këndellje sa më shpejtë, pasi rrezikon seriozisht për të rënë nga liga pas paraqitjeve skandaloze deri më tani.
/GazetaBlic Sport