Sporti

Altin Aliu: Fitoret ndaj Llapit dhe Ballkanit tregojnë komponimin tonë si ekip, ndaj Gjilanit na pret punë e vështirë

09/20/2024 17:07
nga:E K

Malisheva është një nga skuadrat me startin më të mirë në Superligën e Kosovës deri më tani.

Me 10 pikë të grumbulluara pas 5 ndeshjeve, Malisheva gjendet në pozitën e katërt pas Prishtinës dhe dy skuadrave nga Theranda: Ballkani dhe Suhareka që kanë po aq pikë, shkruan GazetaBlic Sport.

Lojtari i Malishevës, Altin Aliu ka folur për GazetaBlic Sport ku ka komentuar fillimin e mirë të skuadrës së tij dhe ndeshjen e xhiros së radhës ndaj Gjilanit.

“Sukseset e këtij starti, duke mposhtur ekipe si Llapi dhe Ballkani, janë rezultat i harmonisë që kemi në ekip dhe të qenit të komponuar si grup.

Duke parë një start të mirë dhe konkurrencën që kemi në ekip, qëllimi ynë është të arrijmë vendet e para që na çojnë në Evropë.

Ndeshja me Gjilanin do të jetë e vështirë, mirëpo besimi që kemi te njëri-tjetri më bën të mendoj se do të dalim pozitiv”, tha Aliu për GazetaBlic Sport.