Sporti

Mevlan Zeka: Kemi filluar sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, na pret ndeshje e vështirë me Feronikelin 74

09/19/2024 18:04
nga:E K

Suhareka ka nisur në mënyrë shumë të mirë xhirot e para në Superligën e Kosovës.

Skuadra e sapopromovuar në elitën e futbollit kosovar, ka arkëtuar 10 pikë nga katër xhirot e para duke u renditur e dyta pas rivalit lokal, Ballkanit që ka po aq pikë me një ndeshje më shumë të zhvilluar, shkruan GazetaBlic Sport.

Ndeshjen e fundit Suhareka e fitoi ndaj Ferizajt me rezultat 0-1 falë golit të Liridon Fetahajt.

Mevlan Zeka një nga lojtarët më të dalluar te skuadra e Suharekës ka shënuar 3 gola deri tani në Superligë.

Zeka që ka eksperiencë në elitën e futbollit kosovar për GazetaBlic Sport komentoi rikthimin e tij në Superligë dhe rrugëtimin e Suharekës në xhirot e para.

“Ne kemi filluar shumë mirë sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke treguar që Suhareka është një skuadër jo vetëm për të marrë pjesë në Superligë, por edhe për të qenë një skuadër serioze për të bërë gjëra të mëdha tash dhe në të ardhmen.

Rikthimi im personal në Superligë po shkon shumë mirë, dhe besoj që do të vazhdoj kështu deri në fund për t’i ndihmuar skuadrës me objektivat e saj, gjithmonë duke falënderuar bashkëlojtarët e mi, trajnerin dhe gjithë stafin.

Na pret një ndeshje e vështirë dhe jemi të vetëdijshëm që në Superligë pothuajse të gjitha skuadrat kanë potencialin dhe kualitetin për të shkaktuar probleme gjatë rrugës drejt objektivave tona. Do t’i qasemi ndeshjes me seriozitetin më të madh për të vazhduar të suksesshëm në këtë takim dhe në ndeshje pas ndeshjeje”, tha Mevlan Zeka për GazetaBlic Sport.