Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka folur rreth papunësisë në Kosovë, ku sipas partisë në pushtet, Vetëvendosje, ka rënë në 4%.
Shala në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thekson se, diçka e tillë nuk ekziston dhe sipas tij, realitet është krejt tjetër.
Shala tutje shtoi se, nuk ka mundësi që diçka e tillë të jetë reale, pasi siç thotë ai, Kosova, pas Ukrainës, është vendi më i varfër në tërë Evropën.
“Qëndrimet e VV’së se shkalla e papunësisë në Kosovë është 4 për qind, janë joserioze, jokompetente dhe jo reale. Ata po thirrën në anketa të paverifikuara, ndërsa realiteti është krejt tjetër. Ne jemi vendi më i varfër në Evropën Juglindore, nuk ka mundësi që të jetë shkalla e papunësisë në 4 për qind”, tha Shala.
Tutje ai shton se, këto deklarata vijnë nga pushteti për fushatë paraelektorale.
“Në esencë, ky deklarim i VV’së është i pabazuar dhe ka të bëjë me fushatë paraelektorale, ashtu siç e kanë zakon të bëjnë, fushatë propagandistike”, tha Shala për GazetaBlic.