Sporti

Liridon Fetahaj: Nuk e kam pritur një start kaq të mirë, po fokusohemi te vetja – synojmë pjesën e sipërme të tabelës

09/15/2024 11:48
nga:E K

Suhareka ka nisur në mënyrë shumë të mirë xhirot e para në Superligën e Kosovës.

Skuadra e sapopromovuar në elitën e futbollit kosovar, ka arkëtuar 10 pikë nga katër xhirot e para duke u renditur e dyta pas rivalit lokal, Ballkanit që ka po aq pikë me një ndeshje më shumë të zhvilluar, shkruan GazetaBlic Sport.

Ndeshjen e fundit Suhareka e fitoi ndaj Ferizajt me rezultat 0-1 falë golit të Liridon Fetahajt.

Fetahaj në një prononcim për GazetaBlic Sport tha se nuk e ka pritur një start kaq të mirë të Suharekës duke parë edhe përforcimet e skuadrave kundërshtare.

“Starti është jashtëzakonisht i mirë për skuadrën tonë. Realisht, nuk po mendojmë për Ballkanin, por po fokusohemi te vetja. Objektivi i klubit është të jemi stabil në tabelën e klasifikimit dhe më pas të synojmë pjesën e sipërme, pasi është herët të flitet për titullin kampion me vetëm pesë xhiro të kaluara.

Dueli ndaj Feronikelit do të jetë i vështirë, pasi ata kanë lojtarë të mirë, edhe pse nuk kanë marrë ende pikë, do t’i respektojmë.

Atmosfera është shumë e mirë, rezultatet tregojnë gjithçka. Personalisht, nuk e kam pritur këtë fillim të suksesshëm, pasi të gjitha skuadrat janë përforcuar dhe kampionati është shumë i fortë”, tha Fetahaj për GazetaBlic Sport.