Pas një fitoreje me Ukrainën dhe një humbje me Gjeorgjinë, Kombëtarja shqiptare do të rikthehet në tetor për të luajtur dy sfidat e radhës.
Por, si ishte paraqitja e ekipit kombëtar në këto dy përballje, çfarë nuk shkoi në ndeshjen e dytë dhe si ishin zgjedhjet e Silvinjos? Për të gjitha këto, “Panorama Sport” ka realizuar një intervistë me Astrit Hafizin, ish-trajnerin e Kombëtares.
Çfarë nuk shkoi në ndeshjen me Gjeorgjinë?
Kjo ishte një vazhdë e përfundimit të Kampionatit Europian i cili u përshkrua nga një delir i jashtëzakonshëm, për atë që u “arrit” dhe e shoqëruar me fitoren që bëmë me Ukrainën në Çeki, e cila u mor si një ndeshje që zgjidhi të gjitha problemet e skuadrës sonë dhe tani jemi “top” në të gjitha drejtimet. Ia kisha frikën ndeshjes me Gjeorgjinë dhe është një eufori e cila ka përshkruar gjithë skuadrën dhe stafin e federatës. Janë dy ndeshje që nuk i ngjajnë njëra-tjetrës dhe unë shoh një armik të jashtëzakonshëm të ekipit tonë që po përsëritet. Euforia!
Pse nuk ishte edhe në ndeshjen e dytë ajo Shqipëri e freskët që luante me ritëm të lartë?
Pasojat e ndeshjes me Ukrainën. Normalisht ne arritëm një rezultat dhe kuptohet që fitorja është e mirë. Mos harrojmë që atë fitore edhe mund të mos ta merrnim në minutat e fundit ku skuadra nuk kishte freski fizike. Kjo është ajo që unë në aspektin teknik e shikoj ku trajneri po mundohej të ruante me çdo kusht fitoren. Por, nga ana tjetër nuk mori masa për zëvendësimet. Kishte 5 dhe bëri vetëm 2 dhe skuadra u lodh. Detyrimisht kur formacioni ishte i njëjtë me përjashtimin e Hoxhës në vendin e Laçit. Minimumi duhet të bënte 3 zëvendësime. Edhe skuadrat e mëdha i bëjnë disa ndërrime në ndeshjen tjetër. Kjo tregon edhe një frikë nga ana e Silvinjos dhe një mosbesim ndaj lojtarëve që ka në stol. Këtu lind pyetja pastaj. Këta lojtarë ky a i zgjedh vetë apo ia sjellin të tjerët? Kështu duket në pamje të parë.