Lajme

Kryeziu: Arrestimi i sotëm i politikanit serb për fishkëllim ndaj vizitës së Kurtit në veri, përbën shkelje të drejtës për liri të shprehjes

09/10/2024 17:15
nga:G B

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se përbën shkelje e të drejtës dhe lirisë së shprehjes, arrestimi i sotëm i politikanit serb Aleksandar Arsenijeviç për fishkëllim ndaj vizitës së kryeministrit dhe dy ministrave në veri, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se të drejta të cilat janë të garantuara jo vetëm me ligjet vendore, por edhe me konventa ndërkombëtare.

Kryeziu ka shtuar se çdo shkelje e të drejtave të tyre civile, si dhe e secilit qytetar të Kosovës pa dallim etnie, dëmton institucionet demokratike dhe minon vlerat e Republikës së Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Arrestimi i politikanit serb Aleksandar Arsenijeviç për fishkëllim ndaj vizitës së kryeministrit dhe dy ministrave në veri, besoj unë përbën shkelje të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit paqësor. Të drejta të cilat janë të garantuara jo vetëm me ligjet vendore, por edhe me konventa ndërkombëtare.

Vizitat e shpeshta të ministrit Krasniqi dhe Sveçla ne komunat e veriut, po i sforcojnë përgjegjësitë e tyre për qeverisje vendore, sundimin e rendit dhe ligjit dhe po e zvogëlojnë Kosovën në katër komuna. Një qasje më e balancuar e demonstrimit të autoritetit, është e nevojshme për të siguruar një demokraci të qëndrueshme që mbështet të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike apo rajonale.

Integrimi i qytetarëve serb dhe respektimi i të drejtave të tyre është një obligim dhe vlerë themelore që garanton funksionimin e demokracisë në Kosovë. Çdo shkelje e të drejtave të tyre civile, si dhe e secilit qytetar të Kosovës pa dallim etnie, dëmton institucionet demokratike dhe minon vlerat e Republikës së Kosovës.