Lajme

Analistët: “Për shkak të distancës me Kurtin, Osmani po rrëshqet në ujëra të turbullta”, “Kurti u angazhua ta bënte presidente”

09/09/2024 20:56
nga:G B

Ka kohë që ka dallime në qëndrime për tema të njëjta në mes të presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Këto i ka konfirmuar edhe vetë presidentja, teksa ajo ka kritikuar dhe Qeverinë për çështjen e Asociacionit, dërgimin e letrës për anëtarësim në KiE, e po ashtu ka kërkuar që të shkarkohet apo dorëhiqet ambasadori Martin Berishaj.

Osmani po ashtu ka thënë se nuk mund ta “heqin qafesh lehtë”, duke folur për të ardhmen e saj politike.

Lidhur me këto deklarata, analisti politik Blerim Gashi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Osmani është politikane me përvojë dhe e di që një qëndrim i tillë ndaj Qeverisë nuk i leverdisë, teksa shton se distanca me Kurtin po e detyron të rrëshqet në ujëra të turbullta që nuk i bëjnë nder.

“Presidentja Osmani megjithatë është politikane me përvojë dhe si pasojë ajo mund të ketë mjaftueshëm “nuhatje politike” që ta dijë që një qëndrim i tillë lidhur me Qeverinë nuk i leverdisë, nevoja me kriju ekuidistancë nga Kurti po e detyron të rrëshqet në ujëra të turbullta të cilat nuk i bëjnë nder asaj, pasi si rrjedhojë e krijimit të sinergjisë politike me vetë Kurtin dhe VV është aty ku është”, shprehet ai.

Gashi i quan të pamatura deklaratat e presidentes për ambasadorin Berishaj, teksa thotë se po i përdor si mashë për të treguar forcë si presidente.

“Sa i përket deklarimeve mbi Ambasadorin Martin Berishaj, i konsideroj të pamatura dhe përdorim i saj si mashë për të treguar muskuj politik dhe projeksion force nga ana e Presidentes pa nevojë dhe krejtësisht pa takt”, thekson ai për Gazeta Blic.

Ndërsa, analisti shton se askush nuk dëshiron ta “heq qafesh” Osmanin politikisht, por këtë ajo po e shfrytëzon për faktorizim para ndërkombëtarëve.

“Presidentja Osmani nuk mendoj se beson që dikush dëshiron “ta heq qafesh” politikisht por vetëm e shfrytëzon pa të drejtë e gabim mundësinë për t’u faktorizuar para partnerëve ndërkombëtarë”, vlerëson Blerim Gashi.

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gazmir Raci, duke komentuar deklaratat e presidentes Osmani, thotë se sienergjia e saj e mirë e krijuar me VV-në e sollën rezultatin e 14 shkurtit 2021.

“Presidentja Osmani përtej peshës elektorale ka krijuar një sinergji të mirë me VV-në që solli rezultatin e 14 shkurtit 2021. Ndërkohë, duhet theksuar që presidentja u përafrua me VV-në e Albin Kurtit sidomos pas 25 marsit 2020 kur ndodhi ai rrëzimi i famshëm i Qeverisë në rrethana pandemie nga LDK e gjithë opozita tjetër, dhe jo Kurti me LDK-në”, potencon ai për Gazeta Blic.

Raci kujton angazhimin e kryeministrit Kurti që Osmani të zgjedhej në pozitën e presidentes së vendit.

“Në anën tjetër ne kemi parë një angazhim të pashoq të vet kryeministrit Kurti në ditën kur po zgjidhej presidente zonja Osmani që ajo të votohej në këtë pozitë”, shton ai.

Analisti i sheh normale dallimet në mes të Kurtit e Osmanit, teksa e sheh të panevojshme që presidentja të bie në presion për të bërë deklarime të tilla para zgjedhje, pasi do ta dëmtojë vetëm veten.

“Sa i përket dallimeve mendoj që ato nuk janë diçka jashtë normales dhe si të tilla janë të panevojshme për proklamim në publik për aq kohë sa bashkëpunimi ka qenë i mirë e mbështetja ka qenë e madhe. Mendoj që presidentja Osmani i ka përballuar presionit opozitar dhe atij ndërkombëtar për këto vite dhe nuk ka nevojë të bie në presion të tillë për deklarime të tilla publike tash para zgjedhjeve. Më shumë se askënd ajo do ta dëmtoj veten dhe askënd tjetër”, deklaron analisti Gazmir Raci./Gazeta Blic/

“Loja Vjosë-Albin veç sa ka filluar”/ Ish-diplomati: Presidentja tentoi ta ruajë veten të pastër nga të gjitha ato që ka bërë Qeveria

Musliu-Shoshi: Deklaratat e Vjosa Osmanit janë të vonshme, dëmi i është bërë tashmë Kosovës

Isa Mustafa: Nuk iu besohet deklaratave të presidentes për Qeverinë, po i bën për fushatë paraelektorale

“Dihet kush e ka ofru Asociacionin pesë minuta në 12:00” – Osmanit i vjen reagimi i parë nga VV-ja