Lajme

Lladrovci: Respektimi i aleatëve nuk është servilizëm!

09/03/2024 20:42
nga:Y I

Mbyllja e institucioneve paralele në veri të vendit solli reagimin e Komunitetit Ndërkombëtar.

Të njëjtit deklaruar se aksioni i ndërmarrë ishte me rrezik për sigurinë dhe i pakoordinuar me aleatët.

I ashpër në reagim ishte edhe Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën, Jim O’Brien.

Ai i bëri thirrje kryeministri Kurti që të konsultohet në lidhje me veprimet që ndërmerr dhe të mos e ndikojë negativisht partneritetin Kosovë-SHBA.

“Siç e bëri të qartë ambasada e SHBA-së në Kosovë se SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë të përfshirët dhe të prekurit. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, ka shkruar ai raporton Gazeta Blic.

Ky nuk ishte veprimi i vetëm i ndërmarrë nga kryeministri Kurti pa konsultim me SHBA-të dhe aleatët sa i përket veriut të vendit gjatë mandatit të tij katër vjeçar.

Por si pritet të ndikojë një qasje e tillë e kryeministrit Kurti në raportet Kosovë-SHBA?

Në lidhje me këtë situatë të krijuar ka folur për “Gazeta Blic” kryetari i komunës së Drenasit i cili vjen nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci.

Lladrovci tha se Qeveria e Kosovës nga zgjedhjet e para e deri sot, ekziston në saje të vullnetit qytetar dhe aleatëve, Amerikës edhe të BE-së.

Ai tha se kushdo që e harron diçka të tillë është i humbur.

“Qeveria e Kosovës, nga zgjedhjet e para e deri sot, ekziston në saje të vullnetit qytetar dhe aleatëve tanë, në rend të parë, Amerikës e pastaj edhe të BE-së. Kushdo e harron këtë, është i humbur, ashtu siç janë të humbur ata që e harrojnë historinë tonë të re dhe si kemi arritur deri këtu” tha Lladrovci për “Gazeta Blic”.

Lladrovci tha se respektimi i aleatëve nuk është servilizëm.

“Edhe më herët e kam theksuar se respektimi i aleatëve nuk është servilizëm, andaj, kjo qasje e qeverisë, ndaj Amerikës në rend të parë, më dhemb në shpirt. Miqësia dhe aleanca nuk funksionon kështu siç po bëhet. Do të jetë edhe më vështirë për Kosovën, qytetarët dhe qeveritë që udhëhiqen nga arroganca e mosmirënjohja ndaj aleatëve” tha Lladrovci në përgjigjen e tij për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

Aksioni në Veri, reagon O’Brien: Kurti të ndërpresë veprimet e pakoordinuara, ndikojnë negativisht në partneritetin tonë