Lajme

Bajqinovci thotë se ka dështuar sistemi i drejtësisë: Duhet të rriten dënimet për personat që mbajnë armë ilegale

09/02/2024 17:34
nga:N K

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Mefail Bajqinovci, u deklarua në një prononcim për Gazeta Blic, pas përleshjes së fundit me armë zjarri në Prishtinë, ku mbeti i vrarë një person dhe pesë të tjerë janë plagosur.

Ai e quajti dështim sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Është shqetësuese se edhe kur sekuestrohen armët ilegale përfundojnë në gjykata në procedura të rregullta, askush nuk burgoset dhe dënimet janë me të holla. Kjo politikë ndëshkimore është një sinjal i qartë i dështimit të sistemit tonë të drejtësisë në trajtimin e armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të tyre”, deklaroi ai.

Deputeti për vrasjet, tha se po rriten sepse sipas tij askush nuk ka frikë për të bartur armë.

“Andaj edhe vrasjet, tentim vrasjet rriten sepse askush nuk ka frikë për të bartur armë. Nëse ligjet nuk zbatohen me rreptësi dhe ata që kapen me armë ilegale në brez marrin dënime të buta, kjo krijon një kulturë pandëshkueshmërie që vetëm sa shton rrezikun për sigurinë tonë”, tha ai.

Bajqinovci theksoi se nëse do të dënoheshin njerëzit me burgim të lartë, atëherë sipas tij askush nuk do të kishte guxim të bartë armë.

“Sistemi i drejtësisë duhet të reagojë me seriozitetin e duhur për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Nëse do të dënoheshin me burgim të lartë do e shihni se askush nuk do kishte guxim të bartë armë”, përfundoi deputeti nga LVV-je, Mefail Bajqinovci.

/GazetaBlic/