Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën, Jim O’Brien, ka reaguar për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës për mbylljen e komunave ilegale.
Ai i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese” Qeprimet e qeverisë së Kosovës, ndërsa kryeministrit Albin Kurti i bëri thirrje që të konsultohet dhe të mos e ndikojë negativisht partneritetin Kosovë-SHBA.
O’Brien shpërndau edhe reagimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
“Siç e bëri të qartë ambasada e SHBA-së në Kosovë se SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë të përfshirët dhe të prekurit. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, ka shkruar ai.
As @USAMBKosovo’s statement makes clear, the U.S. is concerned by continuing uncoordinated and provocative actions by the Government of Kosovo. We appreciate the work of those, including EULEX and KFOR, who prevent violence and call for continued restraint by all involved and…
— Assistant Secretary Jim O’Brien (@StateEUR) August 30, 2024
Ambasada amerikane mbrëmë tha se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit të tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.
“Me urdhër të autoriteteve politike të Qeverisë së Kosovës, Policia e Kosovës ka zhvilluar sot, më 30 gusht, operacione kundër institucioneve të mbështetura nga Serbia në veri të Mitrovicës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë ndër të tjera ambasada.
Gjithashtu, kritika ka pasë edhe nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe ambasadorë të vendeve aleate.