Lajme

Gashi: Qasja e edukatoreve në çerdhe nuk është e duhur, kur ato nuk kanë licensë nuk është e mundshme as mbikëqyrja

08/26/2024 17:36
nga:N K

Në fushatën elektorale të vitit 2021 nga kryetari i Lëvizjes Vetvendosje Albin Kurti dhe tani më kryeministër i Kosovës janë premtuar 160 çerdhe të reja për fëmijë anembanë Kosovës.

Sipas njohësit të arsimit është e nevojshme ndërtimi i çerdheve për fëmijët në Kosovë, dhe gjithashtu sipas tij zhvillimi i hershëm i fëmijëve është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e tyre afatgjatë.

Në një prononcim dhënë për GazetaBlic njohësi i sektorit të arsimit Egzon Gashi, ka theksuar se rregullimi i sektorit të arsimit nuk mund të varet nga një parti politike.

“Unë besoj që problemi me çerdhet dhe në përgjithësi sektori i arsimit nuk ka të bëjë me një parti politike apo me ndonjë person, me një sistem që është i ngurtë për të bërë ndryshime”, tregon ai.

Sa i përket problemeve me ndërtimin e çerdheve në Kosovë, njohësi i arsimit potencon për GazetaBlic se ka pengesa të shumta me tendere dhe me drejtorë të cilat e pengojnë zhvillimin e arsimit në vendin tonë.

“Gjithandej duke filluar nga komunat deri tek Ministria e Arsimit, ka pengesa të shumta në lidhje me tendera dhe me drejtora që nuk pajtohen me partinë në udhëheqje apo anasjelltash që e pengojnë zhvillimin e arsimit në Kosovë, përderisa e kemi një sistem të tillë partitë mund të bëjnë tentime të shumta por zbatimi i tyre nuk bëhet prej partisë varet prej shum faktorëve të ndryshëm që në fakt një person apo parti nuk mundet të ndryshojë”, tha tutje ai.

Sa i përket gjendjes së sektorit të arsimit në Kosovë, Gashi thekson se shoqëria kosovare nuk e ka vëmendjen për ndryshim të gjendjes së arsimit dhe gjithashtu sipas tij ka mungesë së ndryshimeve në këtë sektorë.

“Unë besoj që problemet thelbësore në Kosovë, është që shoqëria nuk e ka vëmendjen tek sektori i arsimit, ne nuk jemi duke kërkuar më shum nga institucionet dhe përderisa ne nuk kërkojmë ndryshim ne nuk do të kemi ndryshim dhe premtimet mbesin jetim kur ndodh kjo”, potencon ai.

Ndërkohë në shtetin e Kosovës ka çerdhe pa licensë, në të cilat sipas tij po përdoret qasje jo e duhur nga edukatoret.

“Është shumë e dukshme se kemi nevojë për ndërtimin e çerdheve, sa kam informacione ka çerdhe që janë pa licensë dhe pa mirëkëqyrje të mirëfilltë dihet se nuk ka as cilësi, njëra prej ankesave që unë i ndëgjoj prej prindërve vazhdimisht se qasja e edukatoreve në çerdhe nuk është e duhur e kur ato çerdhe nuk kanë licensë nuk është e mundshme as mbikëqyrja, por licensimi duhet të bëhet sa më shpejtë dhe sigurisht duhet të bëhet drejtpërdrejtë me Ministrinë e Arsimit por edhe në bashkëpunim me komunat përkatëse përtej asaj ndërtimit është i domosdoshëm”, tha ai.

“E dimë se zhvillimi i hershëm i fëmijëve është shum i rëndësishëm për zhvillimin e tyre afatgjatë dhe gjithashtu e dimë se prej vitit 2024 është bërë e detyrueshme shkollimi parashkollorë në Kosovë, aktualisht nuk i kemi kushtet patjetër duhet të ndërtohen janë shum pengesa që janë nuk janë duke lejuar këtë hap për realizim dhe duhemi të veprojmë së bashku si shoqëri dhe jo të kërkojmë nga një parti apo një udhëheqës politik. Çerdhet private që nuk kanë licensë duhet të kenë standardet që vinë nga shteti dhe kur nuk ka licensë nuk ka standarde”, tha tutje Gashi.

“Në përgjithësi prindërit kanë vështirësi nëse çerdhja kushton 100 euro në muaj, kjo është një shum e madhe për shumicën dërmuese të familjeve të Kosovës, shumica nuk munden ti dërgojnë fëmijët në çerdhe dhe fëmijëve ju mungon një zhvillim që është shum i rëndësishëm, sigurisht kjo e bënë edhe dallimin e klasave shoqërore dhe efektin e familjeve që kanë të hyra për të dërguar fëmijët në çerdhe, ata të cilët nuk kanë janë të varur nga shteti që nuk po mundet të krijojë çerdhet me kohë”, përfundoi Egzon Gashi.

/GazetaBlic/