Sporti

Haliti optimist para ndeshjes: Drita duhet të tregojë cilësitë ndaj Legias, të shfrytëzohen rastet

08/21/2024 17:16
nga:Mergim Rreci

Drita është skuadra e vetme kosovare që ka mbetur në garat evropiane.

Skuadra gjilanase do të luaj në ‘Play-Off’ të Ligës së Konferencës dhe synon edhe dy fitore për të arritur fazën e grupeve.

Ekspedita e Dritës tanimë ka arritur në kryeqytetin polak Varshavë, ku ditën e sotme do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para ndeshjes me Legian.

Legia dhe Drita do ta zhvillojnë nesër ndeshjen e parë në Play-Off të Ligës së Konferencës me fillim nga ora 18:00 në stadiumin Wojska Polskiego.

Trajneri kosovar, Gazmend Haliti, u deklarua optimist para ndeshjes, duke thënë për ‘GazetaBlic Sport’ se skuadra kosovare ka gjasat e saj, pavarësisht se e ka një kundërshtar të vështirë.

“Drita e ka një kundërshtar shumë të vështirë para vetes, por që mendoj që pikërisht në ndeshjet e tilla duhet të tregohen cilësitë. Besoj në një paraqitje shumë të mirë të Dritës, e cila duhet të luajë me shumë vetëbesim dhe të krijojë raste nga kundërsulmet, gjithashtu t’i shfrytëzojë rastet para portës kundërshtare. Shpresoj tek një rezultat i favorshëm në ndeshjen e parë, ndoshta një barazim, me shpresën e kualifikimit në ndeshjen kthyese në Prishtinë“, tha Haliti.

/GazetaBlic Sport/