Lajme

Reflektim mbi shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve, para fillimit të vitit shkollor

08/21/2024 14:40
nga:Pranvera Jetishi Çollaku

Nga Pranvera Jetishi Çollaku

Para fillimit të vitit të ri shkollor, shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve kërkon një vëmëndje të veçantë, pasi kjo periudhë shënon një tranzicion të rëndësishëm për ta.

Kthimi në shkollë pas një pushimi të gjatë, sjell me vete pritshmëri të reja, sfida akademike, dhe presione sociale, që mund të ndikojnë ndjeshëm në mirëqenien e tyre mendore, të shoqëruara shpesh me ndjenja të ankthit dhe stresit.

Ndjenja këto që mund të rrjedhin nga frika për të përmbushur pritshmëritë akademike, frika nga bullizmi, ose ndjenja e pasigurisë për të krijuar dhe mbajtur miqësi të reja, efekti i përdorimit të teknologjisë dhe mediave sociale etj.

Po ashtu, në një shoqëri si e jona ku vlerat tradicionale mbeten të forta, konflikti midis normave kulturore dhe realiteteve moderne të shkollës mund të shkaktojë konfuzion dhe ankth, sidomos tek ata që përpiqen të gjejnë një ekuilibër midis këtyre dy botëve.

Këto shqetësime mund të jenë veçanërisht të theksuara tek ata fëmijë dhe adoleshentë që kanë përjetuar vështirësi edhe në vitet e mëparshme shkollore, por, që nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme psikologjike.

Andaj, që kthimi i fëmijëve dhe adoleshentëve në shkollë të jetë i lehtë dhe efektiv nevojitet fuqishëm ndërgjegjësimi rreth sfidave me të cilat mund të përballen fëmijët dhe adoleshentët si dhe krijimi i strategjive mbështetëse në nivel familjar, shkollor dhe shoqëror, të cilat mund të ndihmojë në zbutjen e stresit dhe ankthit, duke i lejuar ata të fillojnë vitin e ri shkollor me siguri, vetëbesim dhe shëndet të mirë mendor.

(Autorja është themeluese e Qendres për Mirëqenie Psikologjike, Hulumtim dhe Mbështetje Edukative- “Mind Care!”)