Më pak aksidente fatale në përgjithësi janë shënuar korrikun e këtij viti, krahasuar me atë të vitit të kaluar, bëjnë të ditur nga policia.
Sipas policisë, për 7 muaj të këtij viti, ka rënie të aksidenteve fatale, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Lidhur me këtë çështje në një intervistë për Gazeta Blic, u deklarua eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.
Ai tha se nuk ka ndonjë rënie të aksidenteve dhe se në përgjithësi gjatë vitit në tërësi do të mbetet numri i njëjtë i aksidenteve.
“Sipas statistikave të të dhënave në vitin 2023 ne i kemi 88 persona të vdekur, sipas aksidenteve në komunikacion defakto, kurse për vitin 2024 ende nuk është paraqitë ndonjë shifër prej anës së Policisë së Kosovës me raportu se është më e ulët për 6 mujorin e parë të 2024, me krahasu me vitin 2023 apo nuk është. Po të kishte ndodhë e kundërta që ka ulje sadopak, mirëpo ulje nuk është për 2-3 persona, sepse brenda vitit prapë mundet me ardhë aty. Unë mendojë se nuk ka rënie të aksidenteve dhe nuk do të ketë edhe nëqofse paraqitet për vitin 2024 ose edhe mund me qenë për 3-4 persona më pak, mirëpo prapë gjatë vitit në tërësi do ta kemi numrin e njëjtë të aksidenteve në komunikacion”, deklaroi ai.
Tutje ai tha se duhet hyrë intelegjenca artificiale në komunikacion e pastaj, sipas tij, edhe brenda sistemeve arsimore të hyjë lënda e mësimit për komunikacion.
“Këta e thojnë ashtu për arsye se dojnë të arsyetojnë ligjin e fundit që e kanë nxjerrë, edhe defakto ngritjen e gjobave që e kanë bërë e që nuk ka pasur nevojë të ndodhë kjo. Kam thënë që është dashtë të futet intelegjenca artificiale, pastaj brenda shkollave të futet mësimi për komunikacion prej sistemit parashkollë deri tek ai para universitar. Si rezultat i kësaj ne menduam që brenda shkollave të fusim lëndën e mësimit për komunikacionin dhe kësisoj të bëhet një edukim i mirëfilltë për këtë problematikë. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhë edhe pse i kemi dërguar email të gjitha institucioneve duke marrë për bazë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunës së Prishtinës, sot e kësaj dite nuk kemi marrë përgjigjie”, tha ai.
Sipas tij Policia e Kosovës është neglizhente.
“Nëqofse dëshirojmë me krahasu apo nxjerrë një analogji nuk ka rënie defakto të aksidenteve, por është e njëjtë. E kemi filluar mbrapsht, fillimisht është dashtë me i ndërmarrë këta dy hapa, e nëqofse e shohim se nuk po përmisohen me këta dy hapa, atëherë e ngrisim çmimin e gjobave. Mirëpo,ngrite çmimin e gjobave dhe pastaj policia në mënyrë selektive dikë lëshoje dikë jo, ose dikë mos e fal e dikë po. E shihni policinë shkon mbrapa shoferit në këtë rast dhe nuk reagon hiç. Policia ndoshta as minimalen nuk e bënë, as vërejtjen nuk ia tërheqë. Policia janë tejet neglizhentë, nuk po them që janë të korruptuar, asnjëherë nuk e kam thënë, por janë pa punëtorë me thënë ndryshe, pritojnë të punojnë unë e kam këtë përshtypje dhe nuk mund të ma largojë kush, policia e jonë priton me punu dhe pikë”, theksoi ai.
Ahmeti tha se vendi ynë është i pari në Evropë dhe Ballkan sipas tij me format më negative të komunikacionit.
“Çfarë do duhej të bëhej nëse nuk futet intelegjenca artificiale, siç janë radarët mobile, statikë dhe kamerat vaj halli për neve, ne prapë do të prijmë siç jemi duke prirë në Evropë dhe Ballkan vendin e parë e kemi me të gjitha format më negative të mundshme të komunikacionit duke pasë për bazë gjithë këta inxhiniera, policë dhe gjithë këtë udhëheqje, në fund nuk bëjmë asgjë. Dhe iu kam thënë tash e 10 vite se pa këto dy fenomene nuk përmisohet komunikacioni, u përbetuan në katër anët kena me bë këtë ligj dhe në fund asgjë”, përfundoi eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti.
/GazetaBlic/


