Sporti

Haaland i përgjigjet Cucurellas për këngën virale

08/19/2024 14:15
nga:E K

Manchester City u rikthye në mbrojtje të titullit të kampionit në Premierligë i prirë nga Erling Haaland.

Një debutim më i miri i mundshëm në edicionin e ri në “Stamford Bridge” kundër Chelseat me një fitore të pastër, 2:0.

Përballë, sulmuesi norvegjez e kishte mbrojtësin e majtë të “Blues”, Marc Cucurella, i cili u bë viral duke e kënduar një këngë pikërisht kundër ish-sulmuesit të Salzburgut e Borussia Dortmundit, derisa ishte duke e festuar titullin e kampionit të Evropës me Spanjën.

“Cucu Cucu Cucurella, Haaland po dridhet (frikësohet), Cucurella po vjen. Epo, merre e haje një biskotë”, është një pjesë e këngës që e kishte kënduar përfaqësuesi spanjoll në muajin e kaluar.

Por, gjiganti Haaland iu hakmor atij duke e shënuar golin e parë sezonal në minutën e 20-të pikërisht në fytyrë të Marc Cucurellas.

Ky i fundit u shemb përpara një muri të çimentuar si Haaland, i cili i kaloi “Citizens” në avantazh.

Pas ndeshjes, sulmuesi i Cityt i përdori rrjetet sociale për t’iu “hakmarrë” mbrojtësit me flokë të gjata.

“Është një person zbavitës. Sezonin e kaluar ma kërkoi fanellën dhe këtë verë këndoi këngë për mua”, shkroi Haaland.