Lajme

Subvencionimi për librat shkollorë, Kastrati: Ky pushtet kriminelësh vazhdon dhunën psikike e fizike ndaj prindërve e nxënësve

08/13/2024 15:18
nga:Sh R

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që edhe sivjet të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Kastrati s’ka kursyer fjalët e rënda ndaj Qeverisë Kurti, duke i quajtur pushtet kriminelësh e banditësh të korruptuar, që sipas tij vendosën ta vazhdojnë dhunën psikike e fizike ndaj prindërve e nxënësve edhe këtë shtator.

“Ky pushtet kriminelësh e banditësh të korruptuar vendosi sot ta vazhdojë dhunën psiqike e fizike ndaj prindërve e nxënësve edhe këtë Shtator. Prindërit e nxënësit do të dhunohen në radhët e gjata para librarive në temperatura të larta për shkak të tekave e agjendave personale të Nagavcit”, shkroi ai.

Kastrati më tej ka thënë se Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, do të vazhdojë punën në shtator, teksa ka shtuar se Prokuroria Speciale duhet ta hetojë ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci.

Ndryshe, Nagavci sot në një konferencë për media tha se prindërit do të kenë mundësi të aplikojnë për subvencionet që nga dita e nesërme (e mërkurë).

Ajo ka bërë me dije se për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, subvencionimi do të jetë në vlerën prej 80 eurove, ndërsa për nxënësit nga klasa e gjashtë deri të nëntën, 110 euro.