Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës është mbyllur me 36 ligje të miratuara, prej të cilave 20 marrëveshje ndërkombëtare.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Hisen Berisha. Ai tha se ky sesion pranveror i Kuvendit ka qenë i mbushur me zhvillim dhe polemika që sipas tij kanë formësuar diskursin politik të vendit.
“Mbyllja e sesionit të Kuvendit të Kosovës sjell me vete një mundësi për reflektim mbi arritjet dhe sfidat e periudhës së kaluar legjislative. Tensionet politike, polemikat dhe sfidat e brendshme kanë ndikuar në efikasitetin e përgjithshëm të Kuvendit. Ky sesion ka qenë i mbushur me zhvillim dhe polemika që kanë formësuar diskursin politik të vendit, i cili nga partnerët tanë në vend, me theksë SHBA dhe BE, është penalizuar si i dëmshëm për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj. Me këtë kurs politik, qeveria ka arritur ta fusë vendin nën masa të BE-së dhe ka sinjalizime që edhe SHBA duhet të ndërmarrë masa që japin efekt”, deklaroi ai.
Tutje ai tha se kishte nivel të angazhimit dhe pjesëmarrjes së deputetëve në debate, mirëpo sipas tij kishte mungesa dhe bojkotime që ndikuan në efikasitetin e punës së Kuvendit.
“Ky sesion u përshkua nga kriza politike dhe polemika të shumta, të cilat shpeshherë shpërqendruan vëmendjen nga çështjet kryesore. Përplasjet dhe mospajtimet e brendshme brenda partive politike, korrupsioni e krimi organizuar institucional dhe konflikte të tjera ndikuan në mënyrën se si u menaxhua puna legjislative. Një tjetër karakteristikë ishte niveli i angazhimit dhe pjesëmarrjes së deputetëve në debatet për tema të ndjeshme. Disa deputetë u bënë zëdhënës të fuqishëm të çështjeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Sidoqoftë, kishte edhe mungesa dhe bojkotime që ndikuan në efikasitetin e punës së Kuvendit, me theks të seancave me pyetje parlamentare dhe sabotimi i punës së komisioneve hetimore nga mazhoranca e koalicionit qeverisës në krye me LVV”, tha ai.
“Një pjesë e konsiderueshme e sesionit u fokusua në miratimin e ligjeve të reja dhe pjesa dërrmuese në improvizimin e reformave ligjore sa për t’iu ndryshuar autorësinë apo përshtatje për agjendat e tyre për kapje të shtetit në çdo segment të tij. Përmirësimi i sistemit të drejtësisë, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit ishin prioritetet kryesore për të cilat u bëri thirrje opozita e kryesuar nga PDK, qeverisë dhe Kuvendit. Megjithatë, këto iniciativa shpesh hasën në rezistencë dhe debat të ashpër politik”, vazhdoi tutje ai.
Berisha tha se si opozitë dhe Parti Demokratike kanë provuar të mbrojnë demokracinë edhe ashtu të brishtë të shtetit në konsolidim të Kosovës, dhe se ky sesion pranveror sipas tij u karakterizua nga debate të zjarrta mbi çështje kombëtare.
“Përgjithësisht, ky sesion u karakterizua nga debate të zjarrta mbi çështje të ndjeshme kombëtare, si situata në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet me Serbinë. Strukturat paralele dhe ndikimi i tyre në sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës ishin tema të përsëritura, duke krijuar një klimë tensioni dhe ndarje mes partive politike. Si opozitë dhe Parti Demokratike kemi provuar të mbrojmë demokracinë edhe ashtu të brishtë të shtetit në konsolidim të Kosovës. Duke i falënderuar Gjykatës Kushtetuese e cila u kthye në gardian të ligjshmërisë e kushtetutshmërisë dhe ruajtjes së integritetit e sovranitetit politik të vendit, kemi arritur t’i rrëzojmë diku 11 ligje dhe kemi stopuar shumë procese të dëmshme qeveritare”, theksoi ai.
Për në fund deputeti Berisha tha se sesioni pranveror është mbyllur pa e përmbushur detyrën e vet.
“Përgjithësisht, sesioni pranveror është mbyllur pa e përmbushur detyrën e vet, dhe kjo ndodhi pak para zgjedhjeve, që qeveria të mos ballafaqohej me faktet e opozitës për keqqeverisjen e saj. Siç e thashë, ne si opozitë nuk na është mundësuar të bëjmë pyetje parlamentare ku do të shfaqnim të metat e qeverisë, korrupsionin dhe nepotizmin. Për shkak të pozitës, komisionet hetimore parlamentare nuk kanë mundur të kryejnë punën e tyre për të vënë dritë mbi shkeljet korruptive dhe krimin e organizuar qeveritar me kompani e biznese të dyshimta. Po ashtu, nuk pres as në sesionin vjeshtor aktivitet të parlamentit, sepse qeveria dëshiron t’i ikë përgjegjësisë, me shmangien e Kuvendit”, përfundoi deputeti i PDK-së Hisen Berisha.
/GazetaBlic/


