Nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhajt, iu është dhënë sot titulli i nderit “Ambasador i Paqes” nga Observatori Diplomatik Ndërkombëtar, organizatë italiane e kryesuar nga diplomati italian Vito Grittani.
Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, tani deputet i PDK-së, këtë e ka bërë të ditur përmes rrjetit social Facebook, ku është shprehur tejet i lumtur për ndarjen e këtij çmimi, gjersa ka treguar se ceremonia kryesore e ndarjes së çmimit do të mbahet në Bari të Italisë, në muajin shtator.
“Tejet i nderuar që sot mu dha titulli i nderit “Ambasador i Paqes” nga Observatori Diplomatik Ndërkombëtar, organizatë italiane e kryesuar nga diplomati italian Vito Grittani. Ishte kënaqësi t’i prisja në Kuvendin e Kosovës miqtë italianë të cilëve iu shpreha mirënjonjen time të thellë. Mezi pres në shtator të jem pjesë e ceremonisë kryesore, për ndarjen e këtij çmimi, në Bari të Italisë. Grazie!”, ka shkruar Hoxhaj.


