Sporti

“Polemikat” e meçit të Imane Khelif ndaj Angela Carini, sociologu Mecini: “Gjithçka ka qenë në rregull, Komiteti Olimpik veproi drejtë

08/02/2024 14:06
nga:E K

Një rast ‘kontradiktor’ ndodhi dje në Lojërat Olimpike që bëri bujë mediatike në të gjithë mediat ndërkombëtare.

Boksierja algjeriane, Imane Khelif boksoi ndaj kundërshtares italiane, Angela Carini e cila u dorëzua pas vetëm 46 sekondave, ku edhe besohet të ketë thënë “kjo nuk është e drejtë”.

Jehonë të madhe mediatike mori çështja e algjerianes e cila vetëm një vit më parë kishte dështuar të kalonte testimet në Kampionatin Botëror që e kualifikojnë atë për të garuar në kategorinë e femrave.

Në fillim u raportua se rasti kishte të bënte me një ndërrim të gjinisë, megjithatë, boksierja algjeriane raportohet se ka një çrregullim të quajtur “DSD”, çrregullim gjenetik që bën që ajo të ketë nivel të lartë të hormonit mashkullor, testosteron që është një avantazh i lartë i saj ndaj kundërshtareve në ring.

Pavarësisht se në Kampionatin Botëror ajo nuk ishte lejuar të garonte pikërisht për nivelin e lartë të testosteronit, në këtë Olimpiadë u testua se nivelet e saj ishin në rregull duke bërë që t’i lejohej garimi.

Lidhur me këtë çështje, GazetaBlic Sport kontaktoi sociologun, Albert Mecini që ka publikime sociologjike në fushën e sportit.

Mecini e konsideroi rastin si të drejtë duke thënë se gjithçka ka qenë në rregull sa i përket meçit të zhvilluar.

“Gjithçka ka qenë në rregull në këtë drejtim, dhe se sa i përket kësaj çështje Komiteti Olimpik ka vepruar në mënyrë të drejtë dhe në pajtueshmëri me kondiktat dhe principin e të drejtave të njeriut, sa i përket lejimit të boksieres Imane Khelif, për pjesëmarrjeje në Lojëra Olimpike”, filloi sociologu Mecini.

I pyetur se a duhet të lejohet garimi i saj në kategorinë e femrave duke pasur parasysh çrregullimin e saj dhe nivelin më të madh të hormonit testosteron, Mecini deklaroi se sporti është gjithëpërfshirës dhe duhet lejuar sportistëve të garojnë pavarësisht ndërtimit fiziologjik, mundësive fizike apo orientimeve seksuale.

“Në instancë të fundit sporti është platformë sociale, në të cilën, të gjithë pa dallim duhet ka kenë të drejtën për pjesëmarrje, pavarësisht ndërtimit fiziologjik, mundësive fizike apo orientimeve seksuale. Dhe në këtë rast Komiteti Olimpik ka vepruar në përputhshmëri me të drejtat e njeriut”, shtoi Mecini.

Rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe më parë kur një grup i vajzave nga shkollat e mesme në Amerikë luajtën bashkë me persona ‘trans’, duke bërë që disa vajza të lëndohen.

Mecini potencon se sporti po i nënshtrohet rishikimit të ndërtimit të tij si koncept modernist dhe se tek rasti në fjalë socialisht gjithçka është në rregull.

“Çdo moslejueshmëri paraqet arbitraritet, prandaj sporti si veprimtari shoqërore po i nënshtrohet rishikimit të ndërtimit të tij si koncept modernist. Dhe sigurisht lëvizjet e dekadës së fundit në këtë drejtim janë shumë pozitive. Ka një gjithëpërfshirje dhe hapje sociale në fushën e sportit. Edhe tek rasti në fjalë, socialisht, gjithçka është në rregull, vetëm se një problem që do të diskutohet edhe në të ardhmen është limiti i lejueshmërisë sa i përket sigurisë së jetës së sportistëve dhe shkallës së rrezikshmërisë që mund ta përballojnë ata, sa i përket mundësisë së lëndimeve. Në sport nuk duhet të ketë kufizime. Nëse në kompeticione garuese në futboll si Liga Kampioneve kemi refere gra që ndajnë drejtësinë në kategorinë e burrave, atëherë kjo dëshmon shumë për zhvillimin pozitiv të sportit sa i përket aspektit social dhe të drejtave të njeriut”, përfundoi Albert Mecini.

/GazetaBlic Sport/