Lajme

“Dashuri dhe urrejtje”- Si nisi përplasja Osmani-Gërvalla-Kurti?!

08/01/2024 12:28
nga:Y I

Megjithëse kishte dyshime se kishte një ‘përplasje’ mes dy ‘shoqeve’ të ngushta, Vjosa Osmanit dhe Donika Gërvallës, dikur ish-bashkëpartike në Listën Guxo, këto përplasje u faktuan dje publikisht.

Në konferencën për media që Presidentja Osmani, pati pas takimit me krerët e partive politike, ku u diskutua për datën e zgjedhjeve, e njëjta pati një përgjigje ironike për Donika Gërvallën pas ‘diss-it’ që kjo e fundit i bëri dy netë më parë në koncertin me diasporën në kryeqytet.

Por, sa i përket raporteve personale, ajo tha se do të flasë në një moment tjetër.

“Për detaje rreth raporteve tona flasim ndonjëherë tjetër. Por Dafina e ka një këngë tash që e ka publiku ‘me kast me kast mjeshtër i mashtrimeve, me kast me kast përsëritës i gabimeve’. Ka edhe kangë tjera Dafina, përndryshe përpunim i këngës së Gilit”, deklaroi Osmani në konferencën për media.

Por kur nisën përplasjet mes dy mikeve që u larguan së bashku nga LDK-ja?

Ishte muaji maj kur Presidentja Osmani doli publikisht dhe tha se nuk kishte dijeni për letrën që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kishte dërguar në Asamblenë Parlamentare të Kie-së ku zotohej për hartimin dhe dërgimin e një draft-statuti në Gjykatën Kushtetuese në këmbin të anëtarësimit në këtë organizatë.

Pak ditë më vonë nuk vonoi përgjigja e Gërvallës e cila tha se letra që kishte dërguar ishte brenda kompetencave të saj kushtetuese.

Por ‘përplasje’ dhe mos-pajtime Osmani si duket ka edhe me kreun e Qeverisë njëherësh kryetar i VV-së, Albin Kurti.

Daljet nga Gërmia së bashku me familjet por edhe prezenca e tyre së bashku në takime zyrtare, u pa shumë pak ose për mos të thënë fare, muajt e fundit.

Ato kulmuan dje kur Kurti, në cilësinë e kryetarit të Vv-së, nuk shkoi në takimin e thirrur nga e para e vendit.

Osmani deklaroi se nuk i di arsyet e mos-prezencës së tij në dhe iu sygjeroi gazetarëve ta pyesin vetë atë personalisht pse nuk erdhi.

“Nuk ka qenë kryetari i LVV-së në takim, nuk i dimë arsyet, mund ta pyesni atë drejtpërdrejt, supozoj se është në zyrë”, ka thënë Osmani.

Politikanë, ish-bashkëpartiakë të Osmanit por edhe analistë kanë mendime të ndryshme për situatën e krijuar mes ‘treshes’ që ishte e pandshme në 2021.

Ish-kryeministri, Isa Mustafa, tha se tha se replikat në fjalë janë lojëra politike para zgjedhjeve.

Ai tha se Kurti e ka ‘kapur’ pozitën dhe Listën Guxo ndërsa Osmani po e ‘kap’ opozitën.

“Janë lojëra politike para zgjedhjeve. Asgjë tjetër!Albini e ka kapur pozitën dhe Listën Guxo, Vjosa po e kapë opozitën, që deri tani nuk e ka bërë hesapë për asgjë.
E Kosova nga nga ky cirk s’ka asnjë interes as dobi, qoftë në zhvillim apo në integrime euroatlantike. Drejtimi i vendit kërkon qaje serioze dhe dashuri ndaj tij, jo njerëz egocentrikë” tha Mustafa në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Ndërsa Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, duke parë replikat mes tyre tha se tashmë po shkojme drejt zgjedhjeve dhe se nuk kanë më interesa të përbashkëta.

“Para disa ditësh kam bërë një postim në Facebook ku, ndër të tjera, shkruaja: “Farefisi (ose aleatët në këtë rast) njihen në momentet kur shterojnë interesat,”kur nuk ka më interesa mes tyre.Sigurisht, po shkojmë drejt zgjedhjeve dhe nuk kanë më interesa të përbashkëta, dhe filluan replikat dhe distancimet” tha Pacolli në përgjigjen e tij për “Gazeta Blic”.

E drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, tha se Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla shërben si mashe e kryeministrit për të goditur Presidenten Osmani.

” Kjo dyshe e cila para jo më shumë se tri vitesh paraqitej sikur dhuratë e zotit për Kosovën që do ta sjellë ndryshimin e përmirësojë secilën sferë të jetës në vendin tonë (premtim i tyre pra jo pritje imja), sot nuk po munden t’i përmirësojnë as marrëdhëniet e tyre. Në këtë mes Ministrja e Punëve të Jashtme (dhe e vargjeve të Dafina Zeqirit) shërben si mashë e KM për t’i plasuar në publik goditjet që ai do t’ia bëjë Presidentes. Znj. Gërvalla këtë e bën për ta mirëmbajtur marrëdhënien me KM Kurti për arsye elektorale, ndërkohë që KM e shfrytëzo Gërvallën për t’i kryer punët që ai nuk do t’i bëjë drejtpërdrejt në mënyrë që pastaj ta heq qafe edhe mashën.” tha Ymeri në përgjigjen e tij për “Gazeta Blic”.

Kujtojmë se edhe pak muaj na ndajnë procesi zgjedhor dhe duket se tashmë ‘gara’ elektorale ka nisur para kohe por shumë e ‘nxehtë’.

/Gazeta Blic/

Ymeri: Donika Gërvalla ‘mashë’ e Kurtit për të plasuar në publik goditjet ndaj Osmanit!

‘Replikat mes krerëve të shtetit’, Pacolli: Po shkojmë drejt zgjedhjeve, nuk kanë më interesa të përbashkëta!

Mustafa: Kurti ka kapur ‘Listën Guxo’ e Osmani po e kap opozitën, po bëhet ‘cirk’!