Sporti

Hat-triku i Dzekos | Mourinho siguron një fitore të shkëlqyer në ndeshjen e tij të parë zyrtare për Fenerbahçen

07/23/2024 22:56
nga:Lorik J

Në kuadër të xhiros së dytë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, Fenerbahçe ka vizituar Luganon. Kjo ndeshje shënoi ndeshjen e parë zyrtare të Jose Mourinhos në krye të skuadrës turke.

Në fillim të ndeshjes, vendasit hapën rezultatin në minutën e katërt. Megjithatë, në momentet e fundit të pjesës së parë, Fenerbahçe barazoi me penallti të Edin Dzekos. Menjëherë pas pushimit, Dzeko shënoi golin e dytë, duke kaluar në avantazh skuadrën turke. Megjithatë, Lugano barazoi sërish rezultatin në minutën e 64-të, me anë të Uran Bislimit, përcjell GazetaBlic Sport.

Vetëm tre minuta më vonë, Edin Dzeko siguroi hat-trikun e tij. Në minutën e 74-të, Fenerbahçe shënoi golin e katërt. Pavarësisht kësaj, ata nuk mundën të ruanin epërsinë me dy gola, pasi Lugano shënoi të tretën në momentet e fundit, duke e mbyllur me rezultatin 4-3.

Kështu, Jose Mourinho arriti fitoren e parë zyrtare si trajner i Fenerbahces. Ndeshja e kthimit është caktuar për më 30 korrik.

/GazetaBlic Sport