Kreu i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci thotë se do të ishte ideale nëse në shënimin e përvjetorit të NATO-s, do të kishte ftesa edhe për kryeministrin Kurti, por edhe për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën.
Por, sipas Lladrovcit edhe prezenca e presidentes Osmani është e mirëseardhur.
“Ftesa për shënimin e 75 vjetorit të NATO-s, do të ishte ideale po të ishte për tre krerët më të lartë të Republikës së Kosovës, edhe për Kryeparlamentarin edhe për Kryeministrin”, tha ai.
“Megjithatë, konsideroj se prania e Presidentes, Kosovën e bën pjesë të eventit të shënuar, kur dihet kontributi i kësaj aleance dje e sot për Kosovën, rëndësinë e NATO-s për çdo qytetar me orientim nga vlerat euro-atlantike”, tha tutje Lladrovci për GazetaBlic.
Madje, prezencën e Osmanit në Amerikë, Lladrovci thotë se e sheh si të mirë, jo si garë.
“Për mua si njohës i afërt e pjesëmarrës i zhvillimeve në historinë e re të Kosovës, NATO është diell që rrezon, këtë respekt nuk e kam me hove po të qëndrueshme. Për fat të keq, jo të gjithë e njohin dhe çmojnë kontributin e kësaj aleance për lirinë tonë dhe praninë e Presidentes në Amerikë e shoh të mirë e jo si garë”, përfundon Lladrovci për GazetaBlic.