Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur për sigurinë në vend dhe kërcënimet nga Serbia për sulme të mundshme ndaj Kosovës.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se situata është nën kontroll dhe institucionet janë në krye të detyrës duke bërë gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim që mund të shkaktojë ndonjë sulm.
“Përkundër informatave që janë më se të vërteta se grupe të caktuara po stërviten në Serbi për tu rigrupuar apo me synim që të përsërisin ndonjë sulm eventual të përmasave të 24 shtatorit, megjithatë situata e sigurisë është nën kontroll, është e qetë, qytetarët janë të sigurt, institucionet janë në krye të detyrës, ne po bëjmë gjithçka që të parandalojmë çfarëdo lloj kërcënimi që mund të shkaktojë ndonjë sulm apo trazirë që do të rrezikonte paqen, sigurinë, rendin dhe ligjin”, thotë ai.
Deputeti ka komentuar dhe deklaratën e presidentit serb Vuçiq se është Kurti ai dëshiron luftë, pasi dëshiron ta veshë uniformën e të duket si Zelensky.
Dugolli thekson se është Serbia ajo që ka pretendime për t’u kthyer në Kosovë dhe Kosova s’ka synime territoriale ndaj asnjë shteti.
“Qeveria e Kosovës, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka synime territoriale ndaj asnjë shteti, përfshirë Serbinë. S’kemi pretendime territoriale, e kemi shtetin tonë, jemi të angazhuar e fokusuar që ta ruajmë paqen dhe stabilitetin, rendin dhe ligjin për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne s’kemi asnjë lloj interesi për ndonjë konflikt apo luftë, është Serbia ajo që në vazhdimësi pretendon për t’u kthyer në Kosovë, gjë që nuk do ta arrijë kurrë por është fakti se ajo shfrytëzon këtë retorikë për të shantazhuar në njëfarë forme mbase edhe ndërmjetësit në dialog edhe faktorët ndërkombëtare, por e jona është që të përgatitemi që të jemi në krye të detyrës dhe të mbrojmë sovranitetin dhe integritetin e Republikës me çdo kusht”, deklaron deputeti i VV-së, Enver Dugolli./Gazeta Blic/