Lajme

“Dështime në të gjitha sferat”, “Kurti ka nisur fushatën” – Opozita thotë se kryeministri është në panikë për zgjedhje

07/08/2024 19:56
nga:G C

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala thotë se kryeministrin Kurti e ka kapur paniku për zgjedhjet e ardhshme.

Shala në një përgjigje për GazetaBlic, thekson se ai ka filluar të bëjë fushatë zgjedhore, ende pa u shpallur zgjedhjet.

Madje, siç thotë Shala, krejt kjo po bëhet për t’i mbuluar dështimet pothuajse në të gjitha sferat.

“Në realitet po tregohet panika që ka, para përfundimit të mandatit të tij, apo edhe dështimet e përgjithshme në sferën ekonomike, politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.Kjo teknikë e kryeministrit, që t’i prijë fushatës ende pa u shpallur zgjedhjet, në sferën e shëndetësisë dhe kulturës, vërehet dukshëm se këto ka ngecjet më të mëdha”.

“Kjo thjeshtë është fushatë paniku për të mbuluar dështimet e tij”, tha Shala.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se kryeministri Kurti është në dijeni edhe të abuzimeve me buxhetin e Kosovës.

Zemaj këtë deklaratë e dha për GazetaBlic, teksa komentoi lavdatat e fundit të kryeministrit për ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Kulturës.

“Sigurisht që është në dijeni edhe të abuzimeve të mëdha me buxhetin e Kosovës, në njërën anë duke parë, para syve, të gjithë ndarjen e qindra mijra eurove për OJQ-të e lidhura me ministrin e Kultutrës dhe njerëzit e VV’së”, tha ai.

Sipas Zemajt, gjatë kësaj kohe ka pasë edhe abuzim të madhe me çmimet e barnave dhe shton se, Prokuroria duhet të veprojë tashmë.

“Gjithashtu, edhe abuzimi i madh me çmimet e barnave e skandale tjera në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo tregon se Prokuroria duhet të veprojë, ose janë të ndikuar nga Qeveria përmes këtyre fushtave të Kurtit e të tjerëve”, tha Zemaj për GazetaBlic.

Edhe deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj ka komentuar deklaratat e fundit që kryeministri Kurti i ka dhënë në lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe asaj të Kulturës.

Sipas Lekajt, sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të përballet me sfida shumë serioze.

“Së pari, në lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë, është e rëndësishme të theksohet se sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të përballet me sfida serioze, përfshirë mungesën e pajisjeve mjekësore dhe kushtet e dobëta të spitaleve. Ka pasur raportime të shumta mbi mungesat e barnave thelbësore dhe listat e gjata të pritjes për trajtime mjekësore, që sugjerojnë se lavdërimet për përmirësimet në këtë sektor mund të jenë të ekzagjeruara”, tha Lekaj.

Ndërsa, për ministrinë e Kulturës thotë se aktivitetet që vijnë nga këtu shumë shpesh varen nga organizatat ndërkombëtare, donacionet e tyre, e jo nga burimet e Qeverisë.

“Sa i përket Ministrisë së Kulturës, megjithëse ka pasur disa nisma të suksesshme, sektori kulturor në Kosovë është ende nënfinancuar dhe shpesh anashkalohet. Aktivitetet kulturore dhe sportet shpeshherë varen nga donacionet dhe mbështetja e organizatave ndërkombëtare, dhe jo nga burimet e qeverisë. Kjo tregon se ministria nuk ka bërë mjaftueshëm për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme për zhvillimin kulturor dhe sportiv”, tha Lekaj.

Lekaj thotë se me lavdatat e fundit, kryeministri Kurti po mundohet për të mbuluar mungesat dhe problemet në qeverisjen e tij.

“Gjithashtu, lavdërimet e Kurtit mund të konsiderohen si një strategji për të mbuluar mungesat dhe problemet e vazhdueshme në qeverisjen e tij. Kritikat tona qendrojnë, Kryministri Kurti ka një prirje për të promovuar arritje të vogla si suksese të mëdha, ndërkohë që problemet më të mëdha mbeten të pazgjidhura”, tha Lekaj për GazetaBlic.