Lajme

Interesim i madh i pacientëve për kryerjen e analizës falas të tiroides në kryeqytet

07/06/2024 12:17
nga:Y I

Analiza e gjëndrës tiroide, e cila pacientëve u kushton rreth 15 euro, tash e një muaj po bëhet falas në Qendrën e Mjekësisë Familjare QMF VI në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Qe nga java e parë e qershorit e deri më tash afro 130 pacientë kanë shprehur interesim për analizën e gjëndrës tiroide në këtë qendër.

Shefja e kësaj qendre mjekësore Hana Deshishku tregon se interesimi i pacientëve për kryerjen e analizave është i madh.

Ajo potencon se kjo analizë bëhet për të vërtetuar gjendjen shëndetësore dhe për të vendosur një diagnozë.

Lodhja, plogështia, përgjumja, shtimi dhe humbja e peshës, çrregullimi i metabolizmit janë ndër simptomat që i përshkruajnë pacientët për gjëndrën tiroide.

Deshishku për KP tregon se në QMF bëhet edhe analiza tjetër HbA1C-ja përmes së cilës përcillet gjendja e pacientëve përgjatë tremujorit për diabet.

Për këtë risi në QMF-në e Bregut të Diellit, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku thotë se është bërë me qëllim që ta shpërndajë ngarkesën e shërbimeve nëpër qendra.

Sadiku potencon se janë duke përpiluar një plan që analiza të ngjashme të kryhen edhe në qendrat e tjera familjare në kryeqytet.

Gjëndra tiroide është një organ kyç në pjesën e përparme të qafës. Kjo gjëndër është përgjegjëse për rregullimin e funksioneve të shumë qelizave në organizëm.