Sporti

Kolumbia e nis me fitore ndaj Paraguait, Brazili ngec në barazim pa gola me Kosta Rikan në “Copa Amerika”

06/25/2024 08:36
nga:Sh R

Kolumbia e nisi me fitore rrugëtimin në “Copa Amerika 2024”, ndërsa mposhti me rezultatin 2-1 Paraguain në ndeshjen e parë të grupeve.

James Rodriguez ishte protagonist në dhurimin e dy asistimeve në triumfin e kombëtares së tij.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 32’, ku pas asistit të dhuruar nga Rodriguez, Munoz zhbllokoi sfidën dhe kaloi kolumbianët në avantazh.

Ndërsa vetëm 10 minuta më pas rrugën drejt rrjetës e gjeti Lerma, që dyfishoi avantazhin e ekipit të tij.

Në fraksionin e dytë Paraguai u shfaq më kërkues, me Enciso që ngushtoi diferencën në minutën e 69’.

Megjithatë në fund sfida u mbyll me rezultatin 2-1, me Kolumbinë që kryeson Grupin D me tre pikë, teksa Paraguai renditet në vend të fundit me zero pikë.

Brazili ngec në ndeshjen e parë të “Copa America”, teksa nuk mundi të merrte më shumë se barazimi pa gola ndaj Kosta Rikas.

Kombëtarja braziliane u shfaq kërkuese dhe gjeti rrugën drejt rrjetë me Marquinhos në minutën e 30’, por pas verifikimit në VAR goli i mbrojtësit të Paris Saint-Germain u anulua për pozicion të parregullt.

Në fraksionin mbyllës të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar, por në fund gjithçka u mbyll me porta të paprekura.

Pas kësaj përballjeje Brazili renditet në vend të dytë të Grupit D me një pikë dhe Kosta Rika në vend të tretë po me një pikë.