Lajme

Zemaj: Heqja e masave të BE-së varet nga takimi në Bruksel – Kurti mos të krijojë situata të disfavorshme

06/24/2024 14:52
nga:G B

Kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel me 26 qershor.

Lidhur me këtë takim dhe pritjet, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se presin që qeveria të jetë e përgjegjshme dhe të mos krijojë situata të disfavorshme që vazhdojnë sanksionet dhe rrisin presionin e BE-së ndaj Kosovës.

Sipas tij, Kosova është në disfavor në dialog për shkak të mënyrës së si Kurti po e trajton atë.

“Presim që qeveria të jetë më e përgjegjshme, mos të dështojë në të gjithë hapat ashtu siç ka bërë në procesin e dialogut dhe mos të na krijojë ndonjë situatë të disfavorshme kur vazhdojnë sanksionet dhe rritet presioni politik i partnerëve dhe BE-së ndaj Kosovës . Në vend që të ndëshkohet Serbia, mënyrën se si e trajton z.Kurti dialogun, atëherë Kosova gjithmonë ka qenë në disfavor dhe është ndëshkuar nga kjo pakujdesi, papërgjegjësi apo edhe paaftësi”, thotë ai.

Zemaj nuk pret që Kurti të jetë transparent në Kuvend lidhur me dialogun, edhe pse do të duhej sipas një rezolute që është, por që shton se kjo fshehje e tij nënkupton që po bën në dëm të vendit apo s’është i aftë për çështje serioze të Kosovës.

“Nuk besoj që do të ndodhë edhe pse është një rezolutë në fuqi që para çdo raundi të dialogut duhet të ketë një adresim në Kuvend, transparenca është zero dhe shqetësimet janë mbi këtë sepse kur nuk ka transparencë dhe fshihet nga populli e nga të zgjedhurit e popullit, është e qartë që ti ose je duke bërë në dëm të vendit ose nuk je i aftë për t’i adresuar çështjet që janë tepër serioze për Kosovën”, vlerëson deputeti për Gazeta Blic.


Heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës Zemaj e lidhë me këtë takim të Kurtit me Vuçiqin, për çka thotë se kanë humbur qytetarët nga humbja e 300 milionë eurove investim.

“Masat kanë qenë të padrejta dhe agresore ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës por mënyra se si z.Kurti është sjellë e ka tejkaluar këtë dëm që do të duhej ta kishte Serbia si shtet që gjithmonë sjell probleme dhe adresimi ka qenë fatkeqësisht te Kosova dhe humbja e 300 milionëve investime është tepër e dëmshme dhe mendoj që do të duhej të ishte një diplomaci aktive në të gjitha institucionet e Kosovës. Dyert duket se janë mbyllur në këtë aspekt për shkak të sjelljes së paaftësisë së kësaj qeverie, sa fondet kanë humbur dhe qytetarët kanë humbur në aspektin ekonomik dhe zhvillimor. Kjo varet nga takimi i Kurtit me Vuçiq, sigurisht edhe këtu do të këtu do të ketë ndonjë adresim edhe pse i padrejtë por kjo është ajo që ne e kemi thënë, mos shko deri aty ku bie pre e kushtëzimeve, atëherë që Kosova të largohet nga masat e sanksionet siç ka ndodhur në këto 3 vite e gjysmë qeveri”, deklaron deputeti i LDK-së, Armend Zemaj./Gazeta Blic/

Glauk Konjufca: S’pres diçka të rëndësishme nga takimi Kurti-Vuçiq, Asociacioni s’është në rend dite

 

Takimi i 26 qershorit/ Krasniqi: S’pres asgjë – Kurti të raportojë në Kuvend se për çka po merret vesh me Vuçiqin