Lajme

Musliu-Shoshi: Asnjë njohje apo anëtarësim – Qeveria i ka degraduar raportet edhe me shtetet njohëse

06/23/2024 14:39
nga:G B

Kosova vazhdon të mos ketë njohja nga shteti i Spanjës.

Që kjo të ndodhë, Grupi parlamentar i partisë katalunase “Junts” ka ndërmarrë një nismë, ku planifikon që të martën të hedhë në votim në seancën plenare të Kongresit spanjoll një propozim jo legjislativ, me të cilin dëshiron që qeverisë spanjolle t’i kërkohet të njohë Kosovën si një shtet sovran.

Kjo nismë argumenton se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milion banorë”, i cili njihet si shtet i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.

Lidhur me këtë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për Gazeta Blic se përpos Spanjës, Kosovën duhet ta njohin edhe 4 shtetet tjera mosnjohëse të BE-së.

“Jo vetëm Spanja por vlerësoj që edhe 4 shtete tjera jo njohëse anëtare të BE-së duhet ta njohin Kosovën”, shprehet ajo.

Sipas deputetes, qeveria Kurti i ka degraduar raportet edhe me shtetet njohëse, ndërsa me ato që s’na njohin s’ka ndërmarrë asnjë hap.

“Fatkeqësisht kemi një qeveri që i ka degraduar raportet edhe me shtetet njohëse, e lëre më me shtetet jo-njohëse, nuk ka ndërmarrë asnjë hap që të kemi njohjen e shtetit të Kosovës. Pra, kemi regres dhe s’kemi asnjë njohje apo anëtarësim”, deklaron deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi./Gazeta Blic/