Lajme

Plani për “Kalabrinë”/ VV akuza ndaj kryetarit Rama për mospërkrahje, AAK thotë se janë dëmtuar banorët

06/03/2024 20:26
nga:N K

Banorët e lagjes “Kalabria” në Prishtinë përmes protestës së mbajtur sot para Komunës së Prishtinës, kanë kërkuar që koeficienti i lagjes nga 1.5 të bëhet në 2.4, në mënyrë që të ketë një barazi për të gjitha pronat publike dhe private në Kalabri.

Në lidhje me këtë çështje, në një intervistë për GazetaBlic, asambleisti nga Lëvizja Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se ka mungesë të përkrahjes së asambleistëve të LDK-së dhe sipas tij ky plan është i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

“Ne i paraqitëm dy propozime që të zvogëlohet koeficienti për stacionin e autobusëve, për shkak se mendojmë që në atë koeficient të propozuar do të vështirësohet jeta e banorëve të lagjes Kalabria. Shpresojmë që Kryetari Rama të rezonojë dhe t’ korporojë propozimet tona që të arrijë votat e mjaftuara ky plan edhe të kalojë”, tha Sveçla.

Ai kritikon kryetarin e Prishtinës për mos përkrahje nga partia LDK, në të cilën është kryetari Rama dhe sipas tij Rama nuk është menaxher i mirë i këtyre punëve.

“Por fatkeqësisht, siç e patë kemi mungesë të asambleistëve të LDK-së, gjë e cila dëshmon që z.Rama në këtë plan nuk e ka mbështetjen e subjektit të tij, që rrjedhimisht i bie që është plan i vet. Ne nuk jemi kundër vlerës së pronës publike, mirëpo varet kush e menaxhon pronën publike, deri tani kemi parë se z.Rama nuk është menaxher i mirë i kësaj pune. Sot po diskutojmë për një çështje shumë të rëndësishme janë bërë gati tri vite që është bllokuar lagjja Kalabria, për shkak se pushteti në atë kohë LDK-në me PDK-në me propozimin e kryetarit Rama e kanë shfuqizuar një planë që e kanë pasur”, përfundoi asambleisti i VV-së në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla.

Ndërsa, asambleisti nga radhët e Aleancës së Ardhmërisë e Kosovës, Kushtrim Mushica, për GazetaBlic ka treguar kërkesat e kësaj partie, në raport me seancën e jashtëzakonshme që është zhvilluar sot.

“Kjo temë ka bërë bujë vite me radhë dhe për aq kohë sa ka zgjatur është dëmtuar shumë banori i kësaj zone të lagjes Kalabria dhe sot në një seancë të jashtëzakonshme ku jemi po mundohemi që të gjejmë një zgjidhje më të përshtatshme dhe të kalojë me votim nga çdo subjekt”, deklaroi Mushica.

“Gjelbërimi, mos të dendet ajo zonë sikurse kemi nga e kaluara në qytetin tonë shumë dendje të betonizimit, të ketë gjelbërim, të ketë hapësira rekreative, shkollat, çerdhet, ambulantat dhe të gjitha institucionet e nevojshme për të qenë një zonë e banueshme me të gjithë infrastrukturën e nevojshme”, tha ai.

“Jemi të interesuar me kalua ne si AAK-ë, nuk duam të bllokojmë këtë çështje përkundrazi kemi qenë zëri i qytetarëve të kësaj zone për të ardhur kjo seancë e jashtëzakonshme, tentojmë të bëjmë zgjidhjen e duhur. Një planë që na është prezantuar normalisht ka vërejtjet tona dhe kërkesat tona njëkohësisht ku i kemi drejtuar sot në foltore”, përfundoi asambleisti Kushtrim Mushica nga partia AAK./GazetaBlic/