Lajme

Sociologia tregon faktorët që shtyjnë të rinjtë të përdorin substanca të ndryshme – këto janë pasojat që sjellin ato

06/03/2024 21:18
nga:N K

Përdorimi i subsatancave të ndryshme në kohën moderne është bërë shumë aktive nga moshat e ndryshme. Ndikimi i tyre përfshirën efektet fizike, mendore dhe sociale, si dhe varësisht stadit të jetës.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua sociologia Flaka Ymeri, e cila tha se ka disa faktorë ndikuese në përdorimin e substancave të ndryshme, mirëpo faktori më i shpeshtë është kureshtja për të provuar diçka të re.

“Një ndër faktorët shoqëror që ndikon në përdorimin e substancave është kureshtja për të provuar diçka ndryshe dhe e cila është e ndaluar, pastaj janë faktori ekonomik në familje, mos plotësimi i nevojave brenda familjes për t’u përmbushur ekonomikisht dhe këta persona qofshin të ri në moshë apo jo të qëndrueshëm si personalitet, mund të jenë pre e keqpërdorimit të personave të ndryshëm, të cilët ushtrojnë veprimtari ilegale duke i përhapur këto fenomene negative”, deklaroi ajo.

Tutje, sociologia tregon për sfidat kryesore të përdorimit të substancave për individët dhe shoqërinë.

“Sfidat janë të shumta sepse shoqëria, vetë individi më nuk është produktiv për rrethin familjar, pastaj edhe për komunitetin, duke e bërë vetë personin abuzues në shumë dukuri të tjera negative, pastaj sfidë është edhe shtirja e këtyre personave për ta bërë tregun për vete dhe duke ushtruar ndikimin që është sfidë në vete”, tha Ymeri për Gazeta Blic.

Po ashtu, sociologia tregoi për moshat që i prek më shumë ndikimi nga jashtë për përdorim të subsatancave, si dhe cilat janë pasojat e tyre.

“Grupmoshat më të prekura janë ato nga 12 deri në 18, për arsye se mund të manipulohen më lehtë dhe janë lehtë të ndikushëm, dhe nëse ata nuk janë të plotësuar dhe të përmbushur me kërkesat e tyre”, u shpreh ajo.

Sociologia Ymeri për në fund tregon se si mund të ndikojnë politikat dhe programet sociale në zvogëlimin e përdorimit të substancave të ndryshme.

“Detyrë dhe përgjegjësi është nga shteti që të krijojë politika dhe strategji në parandalimin e këtyre dukurive duke ngritur vetëdije tek grupmoshat e reja, pastaj të përcillet ndër gjenerata për t’i minimizuar sa më shumë këto strategji, të krijohen përmes taksforcave profesionale në ofrimin e programeve në shkolla institucione edukative, qendra rinore në mënyrë që të rinjtë të kenë një vendtakim produktiv dhe të ushtrohen aktivitete kreative dhe vetëdijësuese për t’i luftuar dukurit negative”, përfundoi sociologia Flaka Ymeri./Gazeta Blic/