Lajme

PDK në Prishtinë: Me planin e Kalabrisë po provohet të përsëritet Badoci

05/31/2024 12:25
nga:Sh R

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, në një konferencë për media dhe asambleisti Leutrim Retkoceri, kanë njoftuar se Dega e Partisë Demokratike në Prishtinë kërkon që “plani i Kalabrisë” të revidohet përndryshe sipas saj, nuk do të përkrahet nga PDK.

Sipas Retkocerit, në Badoc kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është munduar ta tjetërsoj pronën publike për të akomoduar kërkesat e disa kompanive të ndërtimit të afërta me të.

“Ndërkaq, në planin e propozuar të Përparim Ramës për lagjen Kalabria, prapë mbi 15 hektarë të pronës publike po vihen në shërbim të disa kompanive të ndërtimit. Në të dyja rastet, në Badoc dje dhe në Kalabri sot, Përparim Rama po tregon që është shëndrruar në një zyre projektuese që nuk e sheh pronën publike si hapësirë për qytetarët, por veç si tokë për ndërtim”, ka thënë Retkoceri.

Ndërkohë, deputetja Eliza Hoxha ka njoftuar se PDK-ja nuk ka votë për këtë “plan të Kalabrisë”.

Sipas saj, plani aktual që e ka propozuar kreu i kryeqytetit nuk përmban elementet e duhura ligjore, praktike dhe urbanistike.

Hoxha ka ftuar të gjithë publikun, përfshirë arkitektët, që të shikojnë planin dhe të bëhen aktiv në mbrojtjen e interesit publik.

“A nuk duhet të na vie keq që ende i referohemi lagjeve Ulpiana, Bregu i Diellit e Dardania si lagjet më të mira e më cilësore për të jetuar? A nuk na vie keq që për 40 vite nuk kemi arritur të prodhojmë një plan e një lagje të re në qytet që do të ishte shembull i mirë dhe model për tu ndjekur?” , ka thënë deputetja.