Lajme

Kërkesa e ambasadorit francez për Asociacionin/ VV e sheh qasje shantazhuese, ‘Guxo’ kërkon harmonizim me presidenten

05/26/2024 14:35
nga:G B

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Kosova ende ka mundësi për anëtarësim në KiE, duke dërguar në Kushtetuese draft statutin e Asociacionit.

Lidhur me këtë, nga Lëvizja Vetëvendosje e shohin se qasje shantazhuese.

Kështu është shprehur deputeti i kësaj partie, Halil Thaçi, në një prononcim për GazetaBlic.

“Unë nuk mendoj se është shfaqje, nuk përkon me politikat e Bashkimit Evropian, kjo qasja e Ambasadorit francez  është një qasje shantazhuese brenda institucionit”, deklaroi deputeti i VV-së, Halil Thaçi.

Ndërsa, deputeti i Listës Guxo, Burim Meta, në një prononcim për GazetaBlic, e cilëson si të panevojshëm dërgimin e draft statutit në Gjykatën Kushtetuese.

“Si Parti GUXO, mendojmë që është e panevojshme dërgimi në Gjykatën Kushtetuese, kompetente për të vlerësuar diçka që është në të mirën e Kosovës është ekzekutivi në këtë rast”, deklaroi ai.

Por, sipas tij, kjo çështje mund të harmonizohet edhe me zyrën e presidentes.

“Por, kjo çështje mund edhe të diskutohet nga akterët e lartë dhe të harmonizohet edhe me zyrën e Presidentes”, deklaroi deputeti Burim Meta.

Kujtojmë që ministri e jashtme Donika Gërvalla i kishte dërguar një letër Këshillit të Evropës, duke u zotuar që do ta dërgojnë draft statutin e Asociacionit në Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Por, duket se qeveria ishte vonë, pasi Kosova nuk arriti të futej në agjendë për anëtarësim në KiE./Gazeta Blic/

Agusholli: Kosova ka përmbushur shumicën e kërkesave, ‘presioni’ ndërkombëtar duhet të balancohet