Lajme

Kurti merr pjesë në mbledhjen komemorative në nderim të veprimtarit dhe të burgosurit politik, Afrim Morina

05/25/2024 17:16
nga:Sh R

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka marrë pjesë në mbledhjen komemorative të organizuar në nderim të aktivistit dhe të burgosurit politik, dhe veprimtarit, Afrim Morina, u cili vdiq dje, në prag të ditëlindjes së tij të 73-të.

Në këtë mbledhje komemorative së bashku me Kurtin ishin ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, deputetët Gani Krasniqi, Enver Dugolli e Salih Zyba dhe zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, të cilët u mirëpritën nga Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj si dhe familjarë e miq të Afrim Morinës.

“Sivjet më 12 qershor, do të mbushen fiks 25 vjet nga çlirimi i vendit tonë nga Serbia okupatore, pushtuese. E kjo ditë, erdhi para 25 vitesh edhe falë angazhimit të njerëzve sikur Afrimi dhe të gjeneratës së cilës i takon ai. Qysh si 17 vjeçar, Afrim Morina ishte ndër organizatorët e nxënësve të gjimnazit dhe të normales së Suharekës, në demonstratat e vitit 1968. Gjatë rinisë së hershme, ai bashkëthemeloi disa grupe letrare, e që për kohën të tillat nuk ishin vetëm artistike por edhe patriotike e politike”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ai kujtoi se Afrim Morina, u dënua dhe u burgos nga regjimi i Beogradit katër here më 2 prill 1974, më 26 maj 1981, më 9 maj 1990 dhe më 16 dhjetor 1991, duke i kaluar gjithsej gjashtë vjet e gjysmë në burg, vetëm për shkak të aktivitetit të tij politik, nga organizatat ilegale e te subjekti politik, Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar – UNIKOMB, si zëvendëskryetar i saj, në kohën kur kryetar i saj ishte Profesor Ukshin Hoti.

Duke përkujtuar figurën e tij si një intelektual dhe njeri i drejtë, kryeministri theksoi se një jetë si e Afrim Morinës, e kaluar me aktivitete letrare dhe politike, me burgosje politike dhe angazhim intelektual, e bëri Afrimin një njeri me shumë mendim dhe që kishte shumë për të thënë, e për të dhënë, dhe si rezultat një nga aktivistët politikë më të angazhuar të brezit të tij të të burgosurve politikë.

“Afrim Morina e udhëhoqi në Suharekë fushatën aq njerëzore si dhe politikisht e kombëtarisht shumë të dobishme për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave në vitin 1991. Për një kohë, ai qe edhe nënkryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut. Që nga vitet e rinisë së hershme dhe deri në kohën e luftës në Kosovë, Afrim Morina ishte veprimtar i disa organizatave ilegale të kohës, sikur Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH), Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) si dhe Fronti i Rezistencës dhe Bashkimit Kombëtar (FRBK)”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë kësaj mbledhje, që u mbajt në hapësirat e Bibliotekës së qytetit “Hajdin Berisha”, kryeministri Kurti gjithashtu nderoi edhe veprën intelektuale të shkruar të Afrimit. Në vitin 2015 ai kishte botuar të plotë vepren e tij me titullin përmbledhës “Arka e kujtimeve”, e që përfshin gjithsej 18 vepra me poezi, drama, romane, publicistikë, filozofi politike dhe kujtime.

Pas mbledhjes komemorative, Kurti u shoqërua nga ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit dhe aktivistë e bashkëpunëtorë, mori pjesë në ceremoninë e varrimit të të ndjerit, Afrim Morina, në fshatin Reshtan të Suharekës.