Lajme

Rreziku nga menopauza në sëmundjet kardiovaskulare/ Endokrinologia tregon ndikimin në shëndetin emocional dhe psikologjik

05/27/2024 15:08
nga:N K

Menopauza është një proces i natyrshëm që përfshin ndryshime biologjike, funksionale, hormonale, fizike dhe psikologjike. Vlerësohet si një periudhë kohore e ndalimit të ciklit menstrual për 12 muaj, si pasojë e pakësimit të ovociteve ovarian dhe shënon fundin e fertilitetit biologjiko-fiziologjik të saj.

Lidhur me këtë, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua endokrinologia Shpresa Azemi Shemsedini, e cila tha se gjatë menopauzës nivelet e hormoneve mund të sjellin ndryshime në ciklin menstrual dhe të shkaktojnë simptoma si valë të nxehta në tërë trupin, tharje të lëkurës, gjegjësisht humbje të shkëlqimit.

“Gjatë menopauzës, nivelet e hormoneve, si estrogjeni dhe progesteroni fillojnë të zvogëlohen gradualisht, ndërsa testosteroni rritet ndjeshëm. Kjo sjell ndryshime në ciklin menstrual dhe shkakton simptoma si valë të nxehta në trup, ndryshime në humor, ndjeshmëri në gjumë, tharje të lëkurës, gjegjësisht humbje të shkëlqimit. Këto ndryshime mund të ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm të një gruaje duke sjellë sfida si ndryshime në masën e kockave (osteoporozë), rritje të sëmundje të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare dhe ndikime në shëndetin emocional dhe psikologjik”, deklaroi ajo.

Tutje, ajo tregon strategjitë që përfshijnë stile të ndryshme të jetës për menaxhimin e simptomave të menopauzës ose rikthimin e tyre.

“Strategjitë për menaxhimin e simptomave të menopauzës përfshijnë stile të shëndetshëm jetese, si ushtrimet e rregullta, konsumimi i një diete të shëndetshme dhe ndihmë nga mjeku për trajtim simptomash nëse është e nevojshme, si p.sh.: menaxhim të hipertensionit, nivelizim të vitaminave. Për disa gra, terapia hormonale mund të jetë zgjedhje për lehtësimin e simptomave të menopauzës”, tha ajo.

Më tej, endokrinologia tregon se si mund të diagnostifikohet menopauza dhe dallimin midis menopauzës normale dhe asaj të hershme.

“Menopauza mund të diagnostikohet nga mjeku përmes historisë së simptomave dhe testimit të niveleve të hormoneve në gjak. Dallimi midis menopauzës normale dhe menopauzës së hershme ose të vonuar mund të përcaktohet nga mosha e fillimit të simptomave”, u shpreh ajo.

Po ashtu, ajo tregon rreziqet ose pasojat që lidhen me menopauzën si dhe moshat që më së shumti preken nga menopauza.

“Rreziqet dhe pasojat e menopauzës përfshijnë rritjen e rrezikut të osteoporozës, sëmundjeve kardiovaskulare dhe ndikime në shëndetin emocional dhe psikologjik. Si dhe menopauza fillon zakonisht në moshën 45-55 vjeç”, potencoi ajo.

Për fund, endokrionologia Azemi tregon se çfarë mund të pritet gjatë periudhës së peri-menopauzës dhe lehtësimin e simptomave gjatë kësaj periudhe.

“Gjatë periudhës së menopauzës, gratë mund të përjetojnë simptoma të ngjashme me menopauzën, por cikli menstrual ende është i rregullt. Për të lehtësuar simptomat gjatë kësaj periudhe, disa gra mund të gjejnë ndihmë në terapitë alternative ose trajtimet natyrore. Mjeku mund të ofrojë edhe opsione të tjera për menaxhimin e simptomave”, përfundoi endokrinologia Shpresa Azemi Shemsedini./Gazeta Blic/