Opozita po kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje sa më parë.
Për të shkuar në zgjedhje, partitë opozitare po kërkojnë që kryeministri Albin Kurti të japë dorëheqje dhe më pas të shpërbëhet Kuvendi.
Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se s’ka arsye që Kurti të japë dorëheqje.
Ai nuk sheh arsye që as të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Nuk e kuptoj pse Kryeministri duhet të japë dorëheqje. Si legjislaturë, ky Kuvend ka qenë më i suksesshmi deri tani me një numër rekord të projektligjeve të miratuara në lexim të dytë. Nuk shoh asnjë arsye për zgjedhje të parakohshme”, potencon ai.
Sipas tij, Kurti duhet ta përfundojë mandatin, për çka ka marrë votat.
“Kryeministri e ka marrë mandatin me 51% të votave dhe mendoj se duhet ta çojë deri në fund mandatin e tij”, vlerëson deputeti për Gazeta Blic.
Agusholli thekson se kërkesa për dorëheqje e zgjedhjeve vjen nga opozita që s’e ka situatën në terren në favor, teksa shton se është çmenduri të bësh të njëjtën gjë përsëri e të presësh tjera rezultate.
“Në fakt, kërkesa për dorëheqje vjen prej atyre që nuk i duan zgjedhjet me të vërtetë. Sepse situata në terren nuk është në favorin e tyre. Apo ndoshta ata po mendojnë se duke provuar të hyjnë në zgjedhje tani, do të arrijnë një rezultat tjetër? Përkufizimi i çmendurisë është të bësh të njëjtën gjë përsëri e përsëri dhe të presësh rezultate tjera”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/
Tahiri propozon këto dy data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme


