Lajme

Çfarë parasheh draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga FES?

05/16/2024 12:23
nga:G B

Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin, të cilin pritet ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Kjo është bërë e ditur në një letër që ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i drejtoi presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.

Gërvalla ka thënë se kjo letër përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas saj, ky mekanizëm i përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës.

Ky veprim i qeverisë vjen në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ku anëtarësimi i Kosovës në KiE ende nuk është futur në rend dite.

Sipas letrës së Gërvallës, Qeveria po punon në një draftstatut të frymëzuar nga ai i Fondacionit Friedrich Ebert (FES).

Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Kosovës të bëjë hapa konkretë për Asociacionin në mënyrë që të anëtarësohet në KiE.

Në fund të janarit të vitit 2023, FES publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.

I përbërë nga shtatë kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut i hartuar nga FES, parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të Asociacionit, përfshirë simbolet.

Sipas FES-it, Asociacioni mund të ushtrojë edhe kompetenca shtesë, të cilat mund të delegohen nga autoritetet qendrore të Kosovës.

Sa i përket strukturës, ky draft-statut ka paraparë që Asociacioni të ketë: Kuvendin, kryetarin, nënkryetarin, Këshillin dhe Bordin e Asociacionit.

FES-i ka paraparë disa objektiva të këtij organi, sikurse forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimin e interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.

Dokumenti i FES-it parasheh që Asociacioni të ketë statusin e subjektit juridik, të cilin thuhet se duhet t’ia japë Qeveria e Kosovës përmes një akti juridik.

Sipas dokumentit në organizatës gjermane, Asociacioni do të financohet nga kontributet e anëtarëve të tij, të ardhurat nga shërbimet e ofruara nga Asociacioni, pasuritë e tij të luajtshme ose të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e shoqatave dhe organizatave të tjera, vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Republikën e Serbisë.

Ndërkaq, sa i përket buxhetit, në këtë draft-statut është paraparë që Asociacioni të financohet nga kontributet e komunave pjesëmarrëse, nga të ardhurat e shërbimeve që ofron ky organ, pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme, transferet nga autoritetet qendrore, grantet, donacionet, si dhe nga mbështetja financiare e organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Serbinë.

Gjatë rishikimit të buxhetit, sipas dokumentit, Qeveria e Kosovës dhe Auditori i Përgjithshëm mund të kenë qasje. Auditori po ashtu është paraparë të bëjë kontrollet për shpenzimet e këtij organi.

Sipas draft-statutit të FES-it, Asociacioni do të përjashtohet nga detyrimet dhe taksat në arritjen e objektivave të tij, në të njëjtën mënyrë sikurse komunat pjesëmarrëse.

Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

Megjithatë, Kosova deri më tani nuk kishte ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.

Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.