Premier League është në prag të mbajtjes së një votimi që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme.
Sipas raportimeve, kampionati më i pasur i futbollit në botë do të votojë për mundësinë e heqjes së Asistentit të Referimit me Video (VAR) filluar nga sezoni 2024/25, transmeton GazetaBlic Sport.
Kjo lëvizje vjen pas mocionit të dorëzuar zyrtarisht nga klubi i Wolves, dhe procesi i votimit është caktuar të ndodhë më 6 qershor.
Për të siguruar që kjo ndryshim i rëndësishëm të miratohet dhe të vihet në zbatim, do të jetë e nevojshme që të paktën 14 nga 20 klube anëtare të ligës të japin votën e tyre në favor të heqjes së VAR.
Nuk është vetëm Premier League që ka sjellur polemika në sistemin ‘VAR’, polemika ka pasur pothuajse në shumicën e ligave më të forta evropiane, madje edhe në Superligën e Kosovës në futboll.
Megjithatë, trajneri i Llapit, Tahir Batatina në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’ tha se sistemi ‘VAR’ nuk duhet të largohet nga futbolli, sidomos jo nga futbolli kosovar, sepse do të sjellte polemika dhe gabime të mëdha.
“Sistemi VAR është një sistem që asesi nuk duhet të largohet nga futbolli, sepse do të shkaktonte polemikat e dikurshme dhe nuk i lë gabimet të ndodhin. Unë mendoj që vetëm se ata që e përdorin sistemin ‘VAR’ duhet të jenë njerëz profesionist, që i njohin mirë rregullat. Ne kemi raste si në Evropë ashtu edhe në Kosovë, kur golat anulohen në situata milimetrike, atje ku duhet të ketë një tolerancë, sepse është mëkat që të merrren vendime të tilla“, tha fillimisht ai.
Tutje, Batatina tha se në Kosovë ky sistem duhet të avancohet, të përmirësohen kushtet dhe mënyra e përdorimit të tij. Kujtojmë që në disa raste trajneri i skuadrës së Llapit ka shprehur publikisht ankesat e tij në këtë drejtim.
“Në Kosovë, duhet të ketë një standart të qartë dhe të drejtë të përdorimit. Duhet të shtohen njohuritë rreth tij dhe rregullave të shkruara, si dhe duhet të ketë formë të drejtë aplikimi. Kemi raste kur vija e pozicionit jashtë loje përdoret në raste të ndryshme, e që duhet të specifikohet qartë se kur dhe si të jetë. Pra, mendoj që VAR-i duhet të ekzistojë, vetëm se duhet të avancohet edhe më shumë“, përfundoi trajneri Batatina.
/GazetaBlic Sport/