FC Ferizaj ka arritur objektivin e madh duke siguruar promovimin në Superligën e Kosovës.
Skuadra e Ferizajt ka siguruar titullin e grupit B të Ligës së Parë të Kosovës dy javë para përfundimit të garës.
Lojtari i Ferizajt, Gentrit Ramusa në intervistë për ‘GazetaBlic Sport‘ u shpreh i lumtur me arritjen e klubit dhe protagonizmit të tij që skuadra të arrinte objektivin e saj.
“Pa dyshim që ka qenë një kampionat i luftuar dhe shumë interesant, ku vetë fakti që jemi shpallur kampion vetëm dy ndeshje para mbylljes së kampionatit tregon që ka qenë jo e lehtë të arrihet ky sukses”, tha fillimisht ai.
“Normalisht, jemi shumë të kënaqur me arritjen që jemi shpallur kampion i Ligës së Parë, grupi B, sepse mundi i të gjithëve që ishin pjesë i këtij rrugëtimi u shpërbleye në fund me hyrjen në Superligën e Kosovës”, shtoi ai për GazetaBlic Sport.
“Është herët të flasim për sezonin e ardhshëm, por Ferizaj do të jetë një arrë e fortë e kampionatit, ashtu siç është thënë në media nga kryetari dhe drejtori. Ferizaj në sezonin e ardhshëm do të jetë një klub që do të luftojë për pjesëmarrjen në garat Evropiane apo fitimin e Kupës së Kosovës”, vazhdoi Ramusa.
“Jemi një përbërje e disa lojtarëve të rinj dhe disa lojtarëve që janë të dëshmuar në futbollin tonë. Me përvojën e tyre dhe rritjen e konkurrencës, mendoj që do të kompletohemi si ekip. Sa i përket qëndrimit tim në Ferizaj, unë ende kam kontratë me klubin”, përfundoi ai për GazetaBlic Sport.