Lajme

Ftesat ndaj liderëve opozitarë për takim, Kurti: Jam i interesuar që të takohem me të gjithë

05/11/2024 21:02
nga:Sh R

Lidhur me ftesat ndaj krerëve të partive opozitare për takim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i interesuar që të takohet me të gjithë.

Kurti ka thënë se ka qenë i hapur gjithmonë dhe do të vazhdojë të jetë njësoj edhe në vitin e fundit të qeverisjes.

“Jam i interesuar që të takohem me të gjithë dhe mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku. Unë jam gjithmonë i hapur, i interesuar, i gatshëm. Këtë e kam treguar edhe në të kaluarën dhe do ta tregojë edhe në ditët, javët, muajt në vijim, tash që kemi hyrë në vitin e fundit të mandatit qeverisës”, ka thënë Kurti për TV Besa.

Gjatë ditës së sotme, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, u ka dërguar ftesa për takim krerëve të opzitës.

Kurti në letrën të cilën ua ka dërguar tri partive opozitare thekson se arsyeja pse ka ftuar në takim krerët e partive dhe shefat e grupeve parlamentare ka të bëjë me atë që të diskutohen hapat për përmbushjen e agjendës legjislative.

Deri më tani kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar ftesën si të vonuar për të gjetur një klimë bashkëpunuese.

“Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë përherë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në letrën e Abdixhikut për Kurtin.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ftesa për takim bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.

Haradinaj ka thënë se kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri dhe i gjithë grupi parlamentar do të diskutojnë dhe do të gjejnë një gjuhë, e cila pastaj do të përcjellet në Kuvendin e Kosovës.