Lajme

Sindikata e Policisë reagon pas rekomandimit për suspendim të kryetarit të Sindikatës

05/10/2024 23:29
nga:Mergim Rreci

Inspektorati Policor i Kosovës më herët njoftoi se ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor, nën dyshimin se i njëjti kishte incizuar dhe fotografuar kolegët e tij në formë të paautorizuar.

“Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, përmes Linjës së Kaltër ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës” deklaroi IPK-ja.

Burimet e Indeksonline pohuan se bëhet fjalë për kryetarin e Sindikatës së Policisë, Imer Zeqirin.

Lidhur me këtë, ka reaguar Sindikata e Policisë.

Këshilli Drejtues i kësaj Sindikate, përmes një reagimi zyrtar, thonë se janë duke ndjekur me shqetësim këto zhvillime dhe se distancohen nga veprimet kundërligjore.

“Sot me datë 10.05.2024, Këshilli Drejtues i Sindikatës se Policisë se Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet rreth përfshirjes se njërit nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të SPK-së respektivisht Kryetarit te SPK-se në veprime të kundërligjshme, ku me rekomandim të IPK-së edhe është suspenduar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, zt. Imer Zeqiri, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Fotografim dhe incizime tjera të paautorizuara” nga neni 202 i KPRK-së.

Këshilli Drejtues i SPK-së distancohet nga veprimet kundërligjore të kujtdo qofshin ato, duke premtuar angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e mirëqenies së punonjësve të PK-së. Ditëve në vijim KD i SPK-së do të dalë me njoftim shtesë rreth zhvillimeve të fundit në SPK” thuhet në reagimin zyrtar.