Klubi i FC Suharekës është shpallur kampion i Ligës së Parë, grupi A dhe edicionin e ardhshëm do të garojë në Superligën e Kosovës në futboll.
Suhareka ishte bindshëm ekipi më i mirë në grup dhe me meritë u inkuadrua në Superligë, përcjell GazetaBlic Sport.
Një nga lojtarët kryesorë të ekipit ishte Liridon Fetahaj, i cili me golat e tij e ndihmoi ekipin të arrijë objektivin e madh.
Fetahaj shprehet shumë i lumtur për këtë sukses me klubin e Suharekës.
“Jam shumë i lumtur që kemi arritur ta përmbushim objektivin e klubit pasi ka qenë një rrugetim shumë i vështirë”, tha fillimisht Fetahaj për ‘GazetaBlic Sport’.
Ai tha se rrugëtimi nuk ishte i lehtë – andaj po e shijojnë kaq shumë suksesin.
“Për të arritur këtë objektiv duhet shumë punë e përkushtim pasi që nuk është e lehtë t’i mposhtësh ekipet si Trepça, Vëllaznimi e Dinamo për këtë periudhë shumë të shkurtër”, vazhdoi Fetahaj.
Në fund, sipas Fetahajt, skuadra e Suharekës do jetë konkurruese edhe në Superligë edicionin e ardhshëm.
“Në Superligë besoj që do të jemi shumë konkurrues, varet edhe nga lojtarët që do të vijnë, shpresoj që sëbashku me klubin të bëjmë më të mirën”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/